Shoferi i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj deri tani zyrtarisht: u vetëvra në makinën e tij brenda ambienteve të Gardës së Republikës.
Shkëlzen Qordja nuk kishte patur më parë as probleme dhe as konflikte për të mbajtur dy armë, një pistoletë të shërbimit dhe një armë automatik me silenciator.
Ngjarja ka disa fakte dhe rrethana që pritet të verifikohen, si tabulatet, telefonatat e fundit të viktimës, pamjet e siguruara nga kamerat e sigurisë brenda ambienteve të Gardës (nëse kanë qenë në gjendje pune), të cilat do zbardhin shumë pikëpyetje mbi ngjarjen.
Një gjë është fakt, i ndjeri u gjet pa jetë me një plumb në kokë. Ngjarje që brenda pak orësh u cilësua si “vetëvrasje”. Këtë herë u përdor një armë policie-ushtrie që mbante, ndërsa nuk dihet se për çfarë arsyeje shoferi i ministrit të Brendshëm përdori këtë armë dhe jo atë të shërbimit që mbante në brez.
Më herët grupi hetimor ka sekuestruar kamerat e ambienteve të Gardës, por në vendin ku ai qëlloi veten, në garazhin e Gardës së Republikës, nuk ka pasur kamera sigurie. Ambienti që survejohet është ai përtej garazhit të Gardës. Ende nuk dihet ora e saktë e vetëvrasjes së 31-vjeçarit, ndërsa ngjarja u raportuar rreth orës 11:00 të ditës së shtunë.
Ndërkohë, vetëvrasjen e Shkëlzen Qordjas e konfirmon edhe ekspertiza paraprake mjeko-ligjore. Ai vetëqëlluar në pjesën e djathtë të kokës dhe plumbi i ka shkaktuar dëmtime të shumta në kokë, duke e tejshpuar. Sipas mjekëve, Gardisti mund të mbijetonte nëse ndërhyrja e mjekëve do të ishte më e shpejtë.