Ilir Meta ka kthyer ligjin e mazhorancës për shembjen e Teatrit të vjetër dhe ndërtimin e Teatrin e ri. Argumentet e përdorura për të kthyer këtë ligj në Kuvend për rishqyrtim, më shumë se sa me ato ligjore, kanë të bëjnë me argumentime politike. Vetëm pak kohë më parë, Ilir Meta kur ka qenë kreu i Kuvendit ka vepruar me standarde të tjera, për një rast të ngjashëm me të.
Dy muaj para zgjedhjeve parlamentare të vitit të shkuar, nën firmën e ish-kryeparlamentarit Ilir Meta, Kuvendi miratoi ligjin për ndërtimin e të ashtuquajturës “Kulla Ikonike” në Tiranë e cila përllogaritej me lartësi 350 metra dhe kapte vlerën e 250 milionë dollarëve.
Kulla me sipërmarrës të projektit kompaninë “Al Habtoor Investment LLC”, asaj kohe mori miratimin e Metës si dhe firmën e ish-presidentit Bujar Nishani që e dekretoi menjëherë pa marrë parasysh debatet në sferën publike.
Ndërkohë, sot jemi në kushte thuajse të barabarta, ku ish-kryeparlamentari që sot mban postin e kreut të shtetit, i është dashur të marrë një vendim mbi çeljen ose jo të “dritës jeshile” për ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar.
Por këtë herë, edhe pse çështjet kanë ngjashmëri me njëra-tjetrën, Meta ka renditur disa argumente të reja që nuk u shtruan në rastin e kullës përgjatë “Bulevardit të ri”. Ku ka renditur cënimin e trashëgimise kulturore, cënimin e partneritetit me BE për trashëgiminë kulturore, mosdakordësinë e palëve, pra mungesën e gjithëpërfshirjes, si dhe të qenit e vendit pa Gjykatë Kushtetuese, në rastin e një ankimimi të mundshëm. Pra nuk ka asnjë argumentim të qenësishëm ligjor për ta rrëzuar dhe kthyer në Kuvend ligjin për Teatrin, por vetëm politike.
Me sa duket kthimi i ligjit për Teatrin ka qënë me dakordësi të të gjitha palëve, përfshirë dhe kryeministrin Edi Rama dhe kreun e opozitës Lulzim Basha. Një skenar i kopsitur mirë, dhe qëështë aplikuar me shumë kujdes dhe hap pas hapi. Në fillim del dy ditë para kthimit të ligjit Ilir Meta si president me kreun e bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, në një “qokë” për dhurimin e gjakut.Dhe ku Veliaj përshëndet Metën për iniciativën dhe bën thirrje për ta mbështetur atë. Në dukje është si “prelud” për firmosjen e ligjit për Teatrin, të kërkuar nga Veliaj.
Ditën e sotme Ilir Meta priti dy kryebashkiakët demokratë të dy ndër bashkitë më të mëdha të vendit, Shkodër dhe Kamzë, përkatësisht Voltana Ademin dhe Xhelal Mziun. Ku dëgjoi kërkesën e tyre për mos dekretimin e ligjit për Teatrin, gjëja më pa lidhje në këtë botë. Jo vetëm se janë në bashki shumë larg asaj të Tiranës, por për më tepër Voltana po shkatërron Teatrin e Shkodrës ndërsa Xhelali as që ka Teatër fare në Kamzë.
Më pas del Lulzim Basha, kreu i opozitës dhe teksa i bën thirrje Ilir Metës të mos dekretojë ligjin për Teatrin, kërcënon se nëse e bën një gjë të tillë “de fakto vendi është në luftë civile”. Dhe Meta bën sikur tërhiqet, një tërheqje me leje kjo, madje në marrëveshje të plotë mes Metës, Ramës dhe Bashës. Dhe vendosi kthimin e ligjit në Kuvend për ta ridiskutuar.
Për hir të së vërtetës si e dekretoi si nuk e dekretoi Meta, ligji për Teatrin në ditën e parë të Kuvendit në shtator do të miratohet pa asnjë ndryshim dhe do të hyjë në fuqi pa firmën e Metës. E shumta 40 ditë do të shkojë kjo vonesë.
Por që të mos ketë “të 40-ta politike” për kreun e PD Lulzim Basha, Rama dhe Meta kanë vendosur t’i japin një “dorë” dhe ta mbështesin përballë kundërshtarëve brenda PD.
Më se njëherë kritikët e Bashës brenda PD i kanë vënë kusht që nëse nuk rrëzon Ramën deri në shtator, duhet të ikë nga drejtimi i Partisë Demokratike, pasi nuk frymëzon njeri për të sjellë opozitën në pushtet.
Ndaj Rama dhe Meta vendosen t’i japin një “fitore” të vogël në tavolinë, pikërisht rrëzimin nga Presidenti të ligjit për Teatrin. Një “fitore” e padëmshme për qeverinë, por që e forcon Bashën përballë kundërshtarëve të tij brenda PD, pasi është një “betejë” disa mujore dhe rezulton pikërisht me atë që kërkonte opozita: mos firmosjen nga Presidenti të ligjit për Teatrin. Kaq ka në dorë opozita të
bëjë.
Dhe si për ta formalizuar autorësinë e rrëzimit të ligjit për shkak të presionit të kreut të PD, pak para bërjes publike të kthimit të ligjit për Teatrin, Basha kërcënoi Metën me luftë civile. Një “fitore” e dhuruar dhe kërcënim me leje ky i Bashës. Skenarët e kupolës politike funksionojnë./Pamfleti