Loading...

Me gojën mbyllur! Nga Irma Kurti

Me gojën mbyllur! Nga Irma Kurti
Nga Irma Kurti

Kur e çova për herë të parë burrin tim italian në Shqipëri, m’u duk sikur përkrah kisha një fëmijë që s’pushonte së bëri pyetje: “Pse ikin dritat?”, “Kur do të vijnë?”, “Pse nuk mund të bëj dush tani? Pse rrjedh pak ujë?” Pyetjet vazhdonin edhe jashtë: “Pse është kaq i rrëmujshëm trafiku?” “Pse autobuzët ecin ngadalë?”, “Si ka mundësi që shoferi ndalon autobuzin dhe njerëzit e presin derisa të mbarojë së ngrëni byrekun? Pse nuk ankohet askush?”.

Këtyre pyetjeve i përgjigjesha hera-herës me një notë të lehtë humori, por shpesh me një mllef e indinjatë që këto dukuri ekzistojnë akoma dhe më presin sa herë që kthehem në atdhe.

Pavarësisht nga këto, Biagio e do Shqipërinë, ndonjëherë më shumë se unë. Ndoshta sepse nuk jeton atje, ndoshta sepse pakënaqësitë e vogla të përditshme nuk i janë grumbulluar në shpirt ashtu si mua, derisa më detyruan të kapërcej kufirin dhe të emigroj.

I pëlqen atmosfera festive nëpër rrugët e kryeqytetit, baret dhe Taiwani i mbushur me njerëz që pinë dhe hanë në çdo orë të ditës, miqtë e vjetër e të rinj që e presin me dashuri dhe i japin të drejtë për çdo gjë që thotë. I pëlqen jashtëzakonisht gatimi, fakti që kamarierët flasin italisht, mungesa në dukje e stresit dhe vrapi kundër kohës që mbizotërojnë këtu në Itali.

Gjatë qëndrimit tonë vitin e kaluar na u desh shpesh të merrnim taksinë në kryeqytet. Një herë, kur e pyeta shoferin se sa kushton për të shkuar në rrugën “Bardhyl” m’u pergjigj: “400 lekë të reja”. Por sapo dëgjoi tim shoq që foli italisht, ndërroi mëndje dhe më tha: më fal, doja të thoja “600 lekë të reja”. Kështu na ndodhi edhe në një hotel në Durrës… çmimi i dhomës papritur u dyfishua sapo mori vesh që burri është italian.

Në ditët në vazhdim, kur i afroheshim shoferit të taksisë, unë i thoja tim shoqi: “Ti mbyll gojën dhe mos fol!”, gjë jo e lehtë për të duke ditur se sa dëshirë ka të bisedojë edhe me njerëz që i njeh pak. “Mos fol” i them edhe kur jemi në autobuz në orët e vona të darkës, sepse kam merak se mos dikush, një i dehur apo i droguar mund të na ndjekë e të na kërcënojë. Apo këto janë frut i imagjinatës sime, sepse jam larg atdheut dhe i kam humbur kontaktet me realitetin? Këto dukuri ndoshta nuk ekzistojnë?

Në një cep të shtëpisë kemi lënë valixhet që duhet të bëjmë gati për udhëtimin e radhës në Shqipëri.

‘Po këtë vit’, më pyet im shoq ‘do të më lejosh që të flas, apo duhet ta mbaj përsëri gojën mbyllur?’.

‘Kjo varet’ belbëzoj unë, pa e ditur me të vërtetë se nga kush, nga unë apo nga “ata” atje.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com