Botuesi i ‘’Koha Jonë’’ Nikoll Lesi me anë të një shkrimi të shkurtër (firmosur me pseudonimin mediatik, Spiten Prulli) ka komentuar sot shfaqjen e Pandeli Majkos në podiumin e ministrave, gjatë seancës së sotme parlamentare.
Sipas Lesit, Majko pas dorëheqjes që i dha Ramës, menjëherë pas sherrit në seancën për prishjen e Teatrit Kombëtar, u mbyll në shtëpi dhe refuzoi çdo ofertë, që të tërhiqte dorëheqjen. Por ditën e sotme, ai bëri shurrën zjarrit që ndezi-shkruan Nikoll Lesi.
Kujtojmë se Rama dhe Majko u përplasën me njëri-tjetrin në Kuvend, ditën kur PS-ja kaloi e vetme projektligjin për shembjen e Teatrit Kombëtar.
Reagimi i plotë:
Pandeli Majko bëri zhurmë me ikjen nga salla e Kuvendit, javën e shkuar, kur nuk votoi projektligjin për shëmbjen e Teatrit Kombëtar. U pa live nga të gjithë sherri me kryeministrin Rama dhe kërcënimi që i bënte Edi Rama në sallën e Kuvendit. Majko iku në mesnatë dhe të nesërmen paraqiti dorëheqjen nga kabineti qeveritar. Kryeministri nuk ia pranoi.
Më pas Pandeli Majko nuk u paraqit në zyrë dhe u mbyll brenda në shtëpi. Trokitën dhe telefonuan deputetë dhe miq të tij që ti kthenin mendjen, por ai ishte i vendosur.
Burime mediatike tregojnë se edhe disa biznesmenë insistuan ti ndryshonin mendjen. Në qeveri e në PS thonin nën zë se ” na nxori telashe ky…”.
Në momentin që në rrjete sociale po e lavdëronin për veprimin dinjitoz e burrnor, këtë të hënë, Pandeli Majko hyri në sallën e Kuvendit. Eci ngadalë si ecën ai, plot me barrë mendimesh për Shqipërinë dhe Rajonin e Ballkanit, dhe u ul te karrika e tij ministrore në Kuvend.
Kaq e kishte Majko! Ndezi flakën e kundërshtimit ndaj Rilindjes dhe arrogancës së Kryeministrit, por sot i bëri shurrën vetë zjarrit që ndezi.
Majko është prapë ministër!