Maqedonia e Sipërme merr ftesën e kushtëzuar për anëtarësim në NATO, por aleanca nuk po përjeton ditë të mira. Ndikimi rus dhe turk në Ballkanin Perëndimor pas qëndrimit në “ngrirje” të integrimit në BE që mund të rikthejë konfliktet e vjetra etnike. Flasin për “Mapo”, Redi Shehu, Ermir Gjinishi dhe Ilir Kalemaj.
Nga Sebi Alla
Takimi dy ditor në Samitin e NATO-s, i zhvilluar në Bruksel pati si “hirushe” Maqedoninë Veriore, që mori ftesën për anëtarësim, por kohë të vështirë gjeti. Vetë Alenaca e Atlantikut të Veriut e krijuar në vitin 1949, ka divergjenca jo pak të tejkalueshme për ta mbajtur në këmbë këtë strukturë jo vetëm ushtarake. Presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi se nëse shtetet anëtare të NATO-s nuk rrisin kontributet, atëherë SHBA mund të vërë në zbatim largimin nga ku koalicion. “Shumë vende nuk paguajnë atë që duhet. Dhe, sinqerisht, shumë vende na kanë borxh shumë para për shumë vite. Unë jam i shqetësuar, sepse Shteteve të Bashkuara u është dashur të paguajnë për ta. Pra, nëse kthehesh mbrapa 10 apo 20 vite, shikon se na detyrohen një shumë të madhe parash”,-deklaroi Trump. Në të vërtetë nuk bëhet fjalë vetëm për para, por një lloj ndarje mbi fuqinë që kërkon të tregojë SHBA dhe vetë Trump, duke ua barë të qartë me një fjalim të thjeshtë se dominimi ka një emër. Kjo i shkundi mirë liderët e vendeve të tjera anëtare të NATO-s, që tashmë duhet të nisin të bëjnë mirë llogaritë dhe një tjetër “restart” pas deklaratës së Trump. Nga ana tjetër Rusia po shijon ngrohtësinë e “zjarrit” të ndezur brenda 29 shteteve anëtare të NATO-s. “Tërheqja me forcë e Maqedonisë në NATO vetëm sa konfirmon se politika e dyerve të hapura është kthyer në një vegël për të përfituar territor gjeo-politik”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme ruse. Përçarja mes vendeve të anëtare të NATO-s në gjeopolitikë do i jepte ‘rol protagonizmi’ rusisë, që zgjerimin e koalicionit e sheh me shqetësim, veçanërisht për Ballkanin Përëndimor. Për momentin Ballkani ngjan i heshtur, por mjafton vetëm një shkëndinjë për të ndezur konflikte mbi baza etnike. Kundërshtive, deri në kufijtë e ndasisë brenda koalicionit të NATO-s i shtohet ndikimi rus apo turk, në kohën kur integrimi europian i Shqipërisë dhe Maqedonisë ka mbetur në mes. Drejtori i Institutit të Komunikimit “MEDIUS”, Redi Shehu shprehet për “Mapo” se: “ky aktrim me sfond përplasjeje, nuk është aspak një lajm i mirë për Ballkanin dhe për vendet kufitare me Rusinë”. Për Shehun ndikimi rus dhe turk, ndonëse në forma dhe synime të ndryshme është i pranishëm në Ballkanin Perëndimor dhe një dobësim i aleancës NATO do sillte pasoja dhe nxitje konfliktesh. Nga ana tjetër, pedagogu i UET, Ermir Gjinishi mendon se sjellja e Tramp-it, jo vetëm që nuk e përçan BE-në, por është mundësi për ta ndihmuar atë, në mënyrë që BREXI-t të mos përsëritet më, ndërsa i druhet konflikteve në Ballkan pasi sipas tij “etnocentrizmi dhe nacionalizmi ekstrem nuk është zhdukur nga ballkani”. Lidhur me samitin, politilogu Ilir Kalemaj mendon se edhe pse në dukje kaloi në përplasje, ia arriti qëllimit për të pasur një tjetër qasje dhe mirëkuptim. Kalemaj e sheh integrimin e Balllknit Perëndimor drejt BE-së dhe NATO-s, si të vetmen mundësi për të shuar çdo konflikt të mundshëm, apo ndikim nga vende të tjera si Rusia apo Turqia.
“U vu në diskutim nëse Europa është aleatja më e mirë e Amerikës”
Redi Shehu, Drejtor Institutit të Komunikimit “MEDIUS”
Nisur nga takimi i NATO-s në Bruksel, që u shoqërua me ndarje, duke nisur nga përçarja për investimet mes SHBA dhe vendeve të BE-së, por edhe afrime të anëtarëve të rinj siç është rasti i Maqedonisë, a mund të themi se konfliktet në ballkan janë mbyllur?
Kësaj radhe, samiti i NATO-s në Bruksel nuk ishte si të gjitha samitet e tjera të Aleancës, për arsye se u parapri nga thënie me ngjyrime konflituale te z. Trump që para se ai të fillonte. Mos të harrojmë se kemi të bëjmë me deklarata të tipit “NATO është aq e keqe sa marrëveshja NAFTA” etj. Pra, pritej që samiti të ishte ndezëz, duke pasur parasysh se politika amerikane së fundmi po buron nga Twiteri drej salloneve të vendimarrjes globale. Kjo kahje e politikbërjes amerikane, i ka dhënë ngjyrime personale marrëdhënieve ndërkombëtare dhe ka vendosur në një pozicion aspak komod aleatët. Shumë pyetje u ngritën nga media dhe politikanë të ndryshem, nëse kërkesa e z. Trump për respektimin e nivelit të investimeve në mbrotje të shteteve anëtare në 2% të GDP, ishte vërtet një kërkese serioze apo një preteks i cili çuditërisht shtyn drejt një marrëdhënieje konfliktuale të papreçedent? Përgjigjen e jep z. Donald Tusk i cili shprehet: “I dashur President Trump, Amerika nuk ka një aleat më të mirë se sa Europa e cila shpenzon për mbrojtjen shumë herë më tepër se Rusia dhe se Kina”. Për herë të parë kemi një deklaratë të tillë ku vihet në diskutim nëse Europa është aleatja më e mirë për Amerikën. Kjo nuk është aspak një situatë e këndëshme dhe për më tepër marrëdhëniet e Aleancës nuk janë mbështetur mbi shifra, por mbi frymën dhe idealet që i përshkojnë shtetet anëtare. Vërtet, Sh.B.A shpenzon më shumë se vendet e tjera anëtare, por mos të harrojmë që është edhe përfituesi më i madh nga produktet e sigurisë që kjo aleancë jep. Po ashtu, janë pikërisht vendet anëtare të NATO-s që iu gjenden në krah SH.B.A–ve dhe u invesituan në luftra shumë të kontestuara, siç ishin ato të Irakut dhe Afganistanit. I gjithë ky aktrim me sfond përplasjeje, nuk është aspak një lajm i mirë për Ballkanin dhe për vendet kufitare me Rusinë. Të parat që do goditeshin nga një valë dobësimi e Alencaës, janë pikërisht vendet që shtrihen në kufirin që ndan dy boshtet e pushtetit botëror. Nëse kërkohet që me anë të presionit amerikan të arrihet kuota e duhur, atëhere kjo nuk është mënyra e duhur për ta shëndoshur dhe ruajtur NATO-n.
Sa mund të rrezikoj Ballkani që konfliktet etnike dhe rrymat nacionaliste do të ringjallen?
Ballkani dhe sidomos shqiptarët, janë produkt i një ekuacioni jo të natyrshëm gjeopolitik të shekullit të kaluar. Për këtë arsye, mënyra se si ky rajon është konfiguruar, e veçanërisht mënyra se si faktori shqiptar është copëtuar, duke mos respektuar kufijtë etnikë si kufij shtetëror, ka bërë që ky rajon të jetë në mënyrë të vazhdueshme prodhues potencial i konflikteve. Ekzistenca e këtyrë konflikteve vetëm sa janë mbajtur në gjendjen e “ngrirjes së thellë” nga organizma si BE dhe NATO, duke ndërtuar një stas-quo aparenciale. Tronditja e këyre organizmave, në çdo formë dhe çdo kohë, është potencial i shfaqjes së konflikteve të vjetra në Ballkan, përderisa ekuacioni etnik në këtë rajon të vendosë në vendin e vet të gjithë elementët përbërës të tij.
Kemi edhe ndikimin rus dhe turk, në momentin që procesi i integrimit po zgjatet duke krijuar edhe lodhje e pakënaqësi. Si e shihni rolin e tyre
Tashmë procesi integrues në BE ka kaluar fazën e vet të normalitetit dhe po futet në një proces sforcimi . Ky proces dhe vetë BE, tashmë i ngjajnë asaj tullumbaces së fryrë fort, e cila ka dy rrugë, ose të shpërthejë ose të shfryhet në rrudhosje. Kjo, sidomos nëse flasim për Ballkanin dhe boshtet e mëdha qytetërimore të cilat përplasen në këtë rajon. Bota përherë ka qenë e konfiguruar nga ekzistenca e disa boshteve dominuese qytetërimore, të cilat kanë qenë hegjemonikë në kuptimin politik, ekonomik dhe kulturor. Shqipëria ndodhet në një zonë ku aktualisht tre boshte civilizuese takohen në të njëtin rajon: aksi euroatlantik tashmë i rrënjosur si realitet politik, ekonomik dhe deri diku kulturor (Ballkanin Perëndimor); aksi rus si realitet historik kulturor dhe së fundmi edhe ekonomiko-ushtarak (Serbi, Mal i Zi, Maqedoni, Greqi); aksi me qendër Turqinë si realitet historik e kulturor dhe së fundmi edhe ekonomik (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni), Serbia, Mali i zi, Maqedonia tërhiqen politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht nga aksi euroatlantik; por tërhiqen kulturalisht e ushtarakisht, e deri diku ekonomikisht edhe nga aksi rus; ndërsa joshen ekonomikisht dhe kulturalisht (gjysma e Maqedonise) nga aksi turk. Shqipëria, Kosova dhe gjysma e Maqedonisë, tërhiqen politikisht, ekonomikisht ushtarakisht nga aksi euroatlantik, tërhiqen ekonomikisht, kulturalisht dhe pjesërisht politikisht nga aksi turk, dhe joshen nga aksi rus. Pra, të qenurit satelit i një boshti është problematik se je gjithmonë nën presionin forcës shtytëse dalëse e cila është në drejtim të kundërt me qendrën. Ndërsa të jesh satelit i tre boshteve njëkohësisht të bën të jesh “vend i shqyer” nga të gjitha pikëpamjet. Çfarë do të ndodhë së afërmi kur forca gravitacionale e tre boshteve është shtuar së tepërmi ? Shqipëria nëse nuk shton peshën e vet specifike të rëndesës si faktor gjithshqiptar politik dhe ekonomik, rrezikon të hidhet tej si leckë e shqyer?
“Integrimi në NATO dhe BE, mundësi e artë për një Ballkan të qetë”
Ermir Gjinishi, studiues, pedagog në UET
Nisur nga takimi i NATO-s në Bruksel, që u shoqërua me ndarje, duke nisur nga përçarja për investimet mes SHBA dhe vendeve të BE-së, por edhe afrime të anëtarëve të rinj siç është rasti i Maqedonisë, a mund të themi se konfliktet në ballkan janë mbyllur?
Samiti i fundit i NATO-s vetëm sa nxorri në sipërfaqe një pjesë të kontradiktave, deri diku të heshtura, mes SHBA dhe Europës, të cilat përsëriten herë pas here me tone relative sidomos që nga lufta e Gjirit në fillim viteve ‘90. Mesa duket, marrëdhëniet mes tyre kanë patur nevojë për një profil si Trampi. Sjellja e Tramp-it, jo vetëm që nuk e përcanë BE-në, por është mundësi për ta ndihmuar atë, në mënyrë që BREXI-t të mos përsëritet më. Partnetitet qëndrojnë kur vendet anëtare janë të vetëdijëshme për nevojën dhe të përgjegjëshme për obligimet. Vihet re qartë se vendet e BE-së janë dakort për nevojën e NATO-s, por nuk i përmbahen plotësisht detyrimeve. Ndërkaq, ky kontrast në dukje vetëm financiar, shpreh në një fare mënyre fizionominë e BE-së, e cila i përngjan një mozaiku të larmishëm ngjyrash por pa arritur të krijojë një konstrukt të qartë. A janë dakort vendet anëtare të BE-së, me një zë të vetëm për vendimet e aleancës, apo dominon interesi dy apo tri vendeve dhe përcillet si qëndrim i BE-së? Kjo është realisht kriza e BE-së. Fraktura mes NATO-s dhe BE-së i ka rrënjët në Europën e përcarë. Jo vetëm në marrëdhëniet me SHBA-në apo me aleancën Euroatlantike, por sa herë që shqyrtohet mundësia e antarësive të reja për në BE, rihapet nevoja për një reformim e vetë BE-së. Sa i përket Ballkanit, historikisht ai është trajtuar nga Europa si apendiks i saj. Integrimi i vendeve të rajonit në NATO dhe BE është një mundësi e artë për një Ballkan më të paqtë.
Sa mund të rrezikoj Ballkani që konfliktet etnike dhe rrymat nacionaliste do të ringjallen?
Së pari, duhet thënë se etnocentrizmi dhe nacionalizmi ekstrem nuk është zhdukur nga ballkani. Vendet vazhdojnë jetojnë me të kaluarën që kanë krijuar vetë, plot urrejtje, fanatizma dhe diskriminim të vetëjustifikuar, përballë pales/vendit “armike”/tjetrit. Pas gjithë luftrave dhe konflikteve ballkanike qendron një dyzinë me mite fallco. Së dyti, këto qëndrime janë kthyer në mendësi etnokulturore për shumicën e vendeve të ballkanit. Kjo mendësi rrezikon ta dominojë hapësirën ballkanike, nëse shtetet shfaqin aspirata kontradiktore. Me fjalë të tjera, integrimi i ballkanit në BE sigurisht që është një mburojë e madhe për zbutjen e urrejtjeve të egra të trashëguara mes vendeve të rajonit, por edhe nje arsye më tepër për një të ardhme më të paqtë e të sigurtë, ndërsa zgjatja e proceseve integruese ekspozon rajonin ndaj rrezikut të rindezjes së konflikteve të fjetura që mund të nxiten edhe nga interferime interesash gjeopolitike rajonale.
Kemi edhe ndikimin rus dhe turk, në momentin që procesi i integrimit po zgjatet duke krijuar edhe lodhje e pakënaqësi. Si e shihni rolin e tyre?
Po, kemi një rritje të këtyre ndikimeve, por dua ta theksoj që në fillim të herës se duhet bërë një dallim thelbësorë mes tyre. Turqia është një vend antarë i NATO-s, aleati më i rëndësishëm i saj në lindje por edhe në rajonin tonë, që aderon prej mëse 50 vitesh për tu antarësuar në BE. Kjo është një diferencë shumë e rëndësishme krahasuar me Rusinë e cila vazhdon të ketë interesa konfliktuale me perëndimin, kujtoj së fundmi rrëmbimin e Krimesë dhe ndërhyrjen në Siri. Ndikimin turk deri tani e shoh më tepër të shtrirë në një sfond kulturor e historik, pa tentuar të krijojë apo prishë balancat mes vendeve. Turqia, mesa duket po kuron imazhin e saj “të prishur” në ballkan, pas rënies së perandorisë osmane, ndërsa ai rus fsheh interesa gjeopolitike të shfaqura qartë si në tentativën për të eleminuar Gjukanoviçin në zgjedhjet e fundit të Malit të Zi apo dhe mbështetjen e grupeve militare ultranacionaliste në Serbi. Megjithatë, vendet e ballkanit i shohin me perspektiva të diferencuara këto prezenca në rajon dhe ky duhet të jetë shqetësimi, ndërsa Shqipëria nuk ka mëdyshje në alancat e saj brenda trekëndëshit Itali-Greqi-Turqi.
“Procesi është ende i papërfunduar pa inegrimin e Ballkanit”
Ilir Kalemaj, pedagog dhe politilog
Nisur nga takimi i NATO-s në Bruksel, që u shoqërua me ndarje, duke nisur nga përçarja për investimet mes SHBA dhe vendeve të BE-së, por edhe afrime të anëtarëve të rinj siç është rasti i Maqedonisë, a mund të themi se konfliktet në ballkan janë mbyllur?
Takimi i fundit i NATO-s përvijoi kompaktësinë dhe sinergjinë mes organizatës Veri-Atlantike dhe BE-së, përkundër gjithë skepticizmave në nisje të saj. Deklaratat e Presidentit Trump për nevojën e rritjes së shpenzimeve, për mbrojtje nga ana e aleatëve europianë për të arritur objektivin e 2 përqindshit të PBB-ve respektive kombëtare, madje për të shkuar në 4 përqind në një periudhë afatmesme si synim strategjik, ndonëse u pritën me skepticizëm fillimisht, gjetën mirëkuptim praktik. Një pjesë e vendeve u zotuan për arritjen e objektivit që sot për sot e plotësojnë vetëm disa vende, në një kohë sa më të shkurtër. Gjithashtu Maqedonia e Veriut mori ftesën e kushtëzuar, subjekt i ratifikimit të marrëveshjes me Greqinë pas miratimit parlamentar dhe referendumit dhe kjo është një sinjal pozitiv që konfliktet në Ballkan janë drejt përmbylljes së tyre.
Sa mund të rrezikoj Ballkani që konfliktet etnike dhe rrymat nacionaliste do të ringjallen?
Ballkani Perëndimor si vatër e përhershme konfliktesh, por edhe përplasjesh të forta gjeopolitike, ka qenë dhe mbetet një nyje nevralgjike për politikën ndërkombëtare. Nga ana tjetër, shërben dhe si një “cordon sanitaire” që i shërben sigurisë së BE-së por edhe si mision i papërfunduar i kësaj të fundit. Europa politike ka si detyrë morale përkimin me Europën gjeografike dhe Gadishulli Ballkanik duhet të jetë gadishulli i pestë dhe i fundit që komplementon integrimin europian, pas atyre të apenineve, iberik, skandinav dhe balltik. Europa është zgjeruar fillimisht në perëndim me Britaninë e Madhe, Irlandën dhe Danimarkën në vitet 70-të, mandej në jug me Greqinë, Spanjën dhe Portugalinë, më vonë në veri me Finlandën dhe Suedinë dhe nga 2004 në ish-Lindjen komuniste. Proces që është ende i papërfunduar pa vendet e mbetura të Ballkanit Perëndimor. Vetëm kësisoj mundet BE të sigurojë plotësisht kufijtë e brendshëm dhe të jashtëm dhe të shmangë përfundimisht fantazmat e luftërave me sfond etnik dhe fetar që historikisht e kanë kthyer rajonin në “fuçi baruti”.
Kemi edhe ndikimin rus dhe turk, në momentin që procesi i integrimit po zgjatet duke krijuar edhe lodhje e pakënaqësi. Si e shihni rolin e tyre?
Shoh një diferencë të qartë mes të dyjave. Nëse ndikimi rus, pavarësisht se prek pak apo aspak Shqipërinë është i konsiderueshëm në frenimin e proceseve integruese dhe thellimin e largësisë me vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së. Është një ndikim që stimulon enklavizimin, konfliktet e ngrira dhe kërcënon “pax balkanika”. Ndërsa Turqia është një shtet ballkanik, vend antar i NATO-s, një aleat solid dhe i besueshëm i vendeve të rajonit, si përsa i përket investimeve të huaja në to, ashtu dhe për bashkëpunimin dhe partneritetin që i ofroi BE-së për menaxhimin e krizës humanitare të refugjatëve.