Kryeministri Edi Rama, deklaroi sot se projekti i 100 fshatrave do të thotë kthim i tyre në destinacione të mirëfillta turistike dhe agro-turizmi është një mundësi për të dalë nga varfëria
Rama mori pjesë në ceremoninë e mbajtur në Kryeministri për nënshkrimin e memorandumit për projektin e zhvillimit të 100 fshatrave.
Akademia e 100 fshatrave, siç e konsideroi kryeministri këtë memorandum përbën një rrjet bashkëpunimi mes qeverisë dhe botës universitare, për projektet e programit kombëtar të Rilindjes rurale në funksion të 100 fshatrave të përzgjedhur për t’u kthyer në destinacione të reja turistike.
“Është një hap i rëndësishëm firmosja e një memorandumi bashkëpunimi me universitetet për të bërë të mundur krijimin e një rrjeti ndërveprimi mes institucioneve, pedagogëve dhe studentëve të këtyre universiteteve që do të sjellin një fuqi të madhe dhe një vlerë të rëndësishme të shndërruar në një proces, i cili ka domosdoshmërinë e të qenit i shpejtë, i thellë e i saktë”, u shpreh Rama.
Kreu i Qeverisë shprehu besimin te suksesi i programit të Rilindjes Urbane, pasi siç theksoi ai, zhvillimi dhe rritja e fluksit të turizmit që shikojmë sot është rezultat i drejtpërdrejtë i programit të Rilindjes Urbane.
Rama tha se falë këtij programi “kemi pasur një rritje të konsiderueshme të aktivitetit sipërmarrës dhe tregtar në të gjitha zonat ku kemi ndërhyrë”.
“Është një shembull kuptimplotë për atë çka do të shikojmë së shpejti edhe falë programit të Rilindjes Urbane. Fokusi nuk do të jenë vetëm 100 fshatrat e përzgjedhura pjesë e programit të Rilindjes Rurale, pasi nevojat për rritjen e cilësisë së jetës në Shqipërinë rurale janë shumë më tepër”, vuri në dukje kryeministri.
Kreu i Ekzekutivit, Rama theksoi se objektivi i programit është kthimi i 100 fshatrave në destinacione të mirëfillta turistike për t’i dhënë një hov, një zhvillim ekonomik e social aty ky deri sot kjo dukej e pamundur. Po ashtu ky program, vijoi Kryeministri synon të nxjerrë në pah edhe potencialet e mëdha të një qasjeje të ndryshme ndaj së nesërmes, ku mundësitë për të zhvilluar bujqësinë janë të kufizuara.
Kryeministri e cilësoi si të rëndësishëm këtë memorandum bashkëpunimi pasi sjell në sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural një ndërveprim të munguar mes qeverisë e botës akademike
“Po krijojmë mundësi për shumë studentë të sotëm që të jenë nesër aktorë të zhvillimit dhe të shikojnë të ardhmen me një aktivitet privat në funksion të zhvillimit. Po shfrytëzojmë dhe dijet e pedagogëve për t’i vënë ato në shërbim të praktikës, duke bërë lidhjen mes auditorëve dhe realitetit, por edhe duke u krijuar mundësinë të përfshihen në një rrjet konsulencash që nesër mund të japë një vlerë të shtuar në të ardhurat tyre”, deklaroi Rama. /atsh
https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155961572511523/?t=0