Me nderime të larta shtetërore, i ëtshë dhënë sot lamtumira e fundit veprimtarit të njohur politik dhe aktivistit për të drejtat e njeriut, Adem Demaçi. Ai vdiq të enjten në Prishtinë në moshën 82-vjeçare.
Gjatë fjalimit të tij në ceremoni, Presidenti Hashim Thaçi, vlerësoi lart jetën dhe veprën e veprimtarit të çështjes kombëtare Adem Demaçi.
Kreu i Shtetit në ceremoninë mortore kushtuar Demaçit, tha se sot po i thonë lamtumirë personit më emblematik prej periudhës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Sipas tij, kombi shqiptarë po ndahet fizikisht nga “kolosi Adem Demaçi”.
“Kosova dhe mbarë bota shqiptare po ndahet nga Adem Demaçi, një personalitet historik, i jashtëzakonshëm, me integritet të lartë intelektual, letrar, politik dhe kombëtar. Bota po ndahet nga mandela i Europës. Adem Demaçi me tërë qenien fizike, mendore, intelektuale e morale, jetoj për një qëllim, çlirimin e shqiptarëve nga Jugosllavia dhe Serbia de bashkimin e shqiptarëve. Rininë, shpirtin e talentuar e plotë dhunti dhe moshën e burrërisë Adem Demaçi i flijoj 28 vite në burgjet jugosllave pa u thyer e pa u mposhtur ndonjëherë”, tha Thaçi.
Vdekja e Demaçit, sipas presidentit Thaçi ka lënë një zbrazëtirë të madhe në historinë e kombit shqiptarë. Kreu i shtetit shtoi se ngjarjet e mëdha e të lavdishme ishin vet Adem Demaçi.
“Adem Demaçi ishte dhe do të mbetet ndërgjegjja jonë kombëtare e demokratike, simbol i qëndresës e humanizmit, i burgosuri shqiptar politik numër një në ish Jugosllavi, i burgosur i ndërgjegjes numër një në Evropë. Nga i munguar në 28 vjet, ai u shndërrua në frymëzues të gjithë pranishëm për brezat e ardhshëm që ndoqën dhe përqafuan idealin e lirisë dhe rrugën e çlirimit. Adem Demaçi ideal jetësor e kishte bashkimin e shqiptarëve. Parmi themelor i filozofisë së tij politike mbështetej tek ideja që hapi i parë i lirisë dhe çlirimit duhet të merret nga vetvetja. Prandaj Adem Demaçi ishin ngjarjet dhe kthesat politike të Kosovës me 1968, 1981, 1989, Adem Demaçi, ishte lufta e lavdishme e UÇK-së”, theksoi Thaçi.
Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, tha se sot t’i japin lamtumirën e fundit heroit të pa shembullt të rezistencës për liri dhe dinjitet kombëtar e njerëzor.
“Qëndroj, luftoj dhe fitoj, duke u bërë për të gjithë shqiptarët modeli dhe shembulli i përkushtimit për atdheun, i sakrificës dhe i dashurisë për të, i vetëmohimit dhe i dedikimit për gjithçka e pa cak për lirinë e popullit. I dashur baca Adem, jeta jote ishte luftë, dhe ti këtë luftë e fitove, jeta jote ishte sakrificë pa mbarim, por ti ja dole ta përballosh e t’i sfidosh ato si rrallë kush me urti e fisnikëri, sepse ti ishe dhe mbete Adem Demaçi i Kosovës dhe Kosova, dashuria e shpirtëzuar në ty”, ka thënë presidenti Meta.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se “baca Adem i mësoi rrugën drejt lirisë” të gjithëve.
Haradinaj, e ka quajtur veprimtarin e çështjes kombëtare Adem Demaçin si të vetmin që dha me së shumti për së gjalli nga të gjithë. Sipas kreut të Qeverisë, Demaçi ishte sikur të gjithë, por i veçantë në veprën e tij, ndërsa i vetmi në brezin e tij.
“Kur të tjerët u ndalen, bac, ti vazhdove, kur të tjerët u gëzuan me të drejtat e pjesshme, ty të mundonte padrejtësia e djeshme. Ti ishe i vetëm në të drejtën e plotë, kur të tjerët iu gëzuan lirisë së pjesshme, ty të mundonte robëria e djeshme, ti ishe për liri me të drejta të plota. Nuk ka si ti baca Adem që për së gjalli dhanë kaq shumë sa dhe ti nga e drejta jote për jetë, e për liri, që ne të jetojmë të lirë. Ti dhe nga liria jote për lirinë tonë me së shumti, nga gjithë ne për së gjalli. T’i na mësove rrugën deri të liria”, tha Haradinaj.
Për ta nderuar këtë ceremoni, mori pjesë edhe kryetari i BDI-së në Maqedoni, Ali Ahmeti i cili tha se një jetesë si kjo e bacë Ademit që ka ndikuar tek tjerët nuk shuhet asnjë herë, vijon përjetësisht.
“Një jetë që u shndërrua në frymëzim për të gjithë ne, i një veprimtari që më së miri përfytyron rezistencën kombëtare, një karakter që qëndron themeli i pavarësisë së Kosovës, një kontribut që u bë shëmbëlltyra e përpjekjeve të gjeneratave të tëra për liri. Qiriri digjet, shkrihet për të bërë dritë të tjerëve, jeta e Demaçit i ngjason qiririt që u bë dritë dhe do të vazhdon të na ndriçon rrugën tonë përpara. Ky burrë para nesh, Adem Demaçi, i madh, i pa përsëritshëm, i pa arritshëm, i përhershëm”, u shpreh Ahmeti.
Në emër të familjes Demaçi, fjalë rasti para të pranishmëve mbajti e bija e Demaçit, Abetarja. E cila tha se ndau babain e saj me të gjithë shqiptarët.
“Ai tha, më e rëndësishme në jetë është të njohësh vetveten. Me këtë unë shumë mirë e kuptova thellësinë e mesazhit. Jam i bindur se një njeri që u sakrifikua për shqiptarizmin dhe çdo që ndërlidhej me shqiptarizmin, ai donte të thoshte se po ta njihnin shqiptarët vetën mirë do të mund të ishin kritik ndaj vetveten, do të kuptonin se si çdo e keqe rrjedh nga vetvetja, do të përpiqeshin ta përmirësonin vetveten si individ e pastaj do ta kuptoni se vetëm në mënyrë kolektive do të luftohet e keqja, do të kërkonin ta nxjerrin me të mirën nga vetvetja. Në këtë mënyrë ata asgjë nuk mund t’i ndalte çfarëdo që kërkojnë dhe donë ata. Po kështu si jemi nuk e njohim vetveten, nuk e dinë rëndësinë e bashkimit për një rrugë e një qëllim, do të na përsëritet historia”, u shpreh ajo./kosovapress