Me këtë moto u organizua sot paradite në një lokal në Panaja ceremonia e dekorimit “Nderi i Labërisë” të biznesmenit dhe Nën/Kryetarit të Bashkisë së Himarës Simbol Pazaj.
Aktiviteti organizohej nga Shoqata Labëria “Nderi i Kombit” me kryetar Prof. Ago Nezha. Merrnin pjesë intelektualë të qytetit të Vlorës, Himarës dhe Selenicës. Ishin të pranishëm Deputeti i Qarkut të Vlorës në Parlamentin Shqiptar z. Vullnet Sina, Prefekti i Qarkut të Vlorës zoti Flamur Mamaj, Kryetari i Bashkisë së Vlorës z. Dritan Leli, Kryetari i Këshillit të Qarkut zoti Ervis Moçka, Kryetarja e Këshillit të Bashkisë Vlorë znj. Vojsava Shkurtaj, Kryetari i Bashkisë së Himarës z. Gjergji Goro, miq dhe familjar të zotit Pazaj, grupi polifonik i Vranishtit, gazetar e shkrimtar të qytetit etj.
Fjalën e rastit e mbajti Prof. Dr. Bilal Shkurtaj në emër të Shoqatës “Vranishti” nga është edhe origjina e zotit Simbol Pazaj. Pastaj kanë përshëndetur dhe kanë bërë vlerësimet e tyre për zotin Simbol Pazaj Kryetari i Bashkisë së Himarës zoti Gjergji Gori, Kryetari i Komitetit të Veteranëve të LANÇ zoti Seit Jonuzaj, Kryetari i Bashkisë së Vlorës zoti Dritan Leli, Deputeti i Qarkut të Vlorës zoti Vullnet Sina, shkrimtari dhe gazetari Çlirim Hoxha etj.
Më pas Kryetari i Shoqatës Mbarëkombëtare “Labëria” Prof. Ago Nezha i dorëzoi zotit Simbol Pazaj dekoratën “Mirënjohja e Labërisë” për angazhimin e tij dhe punën e bërë, dje si kryetar i Komunës së Vranishtit dhe sot si Nënkryetar i Bashkisë së Himarës, si bizesmen në mbështetje të krahinë së Labërisë.
Në fjalën e tij zoti Simbol Pazaj falënderoi Shoqatën Labëria për vlerësimin e bërë, si dhe familjen e tij për mbështetjen, miqtë dhe bashkëpunëtorët për angazhimin dhe bashkëpunimin. Grupi polifonik i Vranishtit përshëndeti me disa këngë. Më pas për të pranishmit u shtrua një drekë, gjatë së cilët u ngritën dolli dhe u urua zoti Simbol Pazaj për vlerësimin e merituar. Ndërkohë grupi i Vranishtit interpretoi vallen emblematike, “Cili je ti more burrë”.