Ditën që selia blu lajmëroi vizitën 5 ditore të Lulzim Bashës në SHBA, një vizitë e paparalajmëruar kjo, “Pamfleti” botoi një artikull ku informonte lexuesit se kreu i PD kishte shkuar në Uashington të dëshmonte për lobimin me para ruse kundër Shqipërisë.
Dhe mediat një nga një, ku në mënyrë të drejtëpërdrejtë, ku në mënyrë të tërthortë kanë pasuar ditë më pas lajmin e dhënë nga “Pamfleti”, por si gjithnjë pa referencë.
Vizita e fundit e Bashës në SHBA ka qënë e lidhur fort me hetimin e FBI ndaj Muzin për financimin e lobimit në favor të PD me para ruse dhe të lëvruar nga ish agjentë të KGB-së, ish shërbimit famëkeq sekret sovjetik.
Por shqiptarët nuk e paskan ditur se Basha, vetëm një muaj më parë kishte lidhur një kontratë tjetër lobimi po me financim rus dhe që është nën hetim nga FBI amerikane.
Duke treguar qartë se Basha ose e ka fiksim lobimin me para ruse në SHBA ose i kanë zënë “kokën me derë” kur shërbente në Kosovën veriore në aksionin fakt-mbledhës kundër komandatëve të UÇK dhe që lëvizte nën mbrojtjen e ushtarakëve rusë.
Ndoshta kishin dhe financim nga Moska për të çuar në Tribunalin e Hagës të gjithë ish komandantët e UÇK dhe për të tentuar balancimin e krimeve të serbëve në Kosovë me “krimet” e sajuara nga këto komandantë, ndaj serbëve.
Nuk kemi fakte zyrtare, por me dosjen që dërgoi Basha në Serbi e më pas në Hagë, gati të gjithë komandantët e UÇK që nga Haradinaj e deri tek Limaj, u gjykuan në Tribunal për krime lufte, mbështetur në dosjen e Bashës që përfshinte dhe “shtëpinë e verdhë” të Transplantit të pretenduar të organeve.
Lajmi për financimin e ri rus të Bashës u bë i ditur teksa VOA që quhet zakonisht organi zyrtar i DASH, zbardhi të vërtetën në një intervistë me Lulzim Bashën.
Basha pranoi vetë se vizita e tij në Uashington vjen vetëm një muaj, pasi ai nënshkroi një kontratë të re lobimi, me një kompani tjetër, “Sonoran Policy Group”, e drejtuar nga Robin Townley, një ish-funksionar i lartë aktualisht nën hetim nga FBI për lidhjet e tij me Rusinë.
Kontrata e re, me vlerë 40 mijë dollarë, i paraprin arrestimit të mundshëm të Muzin, por edhe në këtë rast, PD duket se ka zgjedhur një tjetër person aktualisht nën hetim.
“Sonoran” drejtohet nga Robin Townley, zëvëndësi i Micheal Flynn, gjatë kohës së tij si këshilltar i Presidentit Trump për sigurinë kombëtare.
Flynn u detyrua të jepte dorëheqjen pak javë pas marrjes së detyrës, pasi mediat amerikane provuan se ai kishte mbajtur disa takime të dyshimta dhe të padeklaruara me ambasadorin rus në Uashington, Sergei Kislyak, në prag të fushatës elektorale.
Aktualisht, Flynn he Townley, ashtu si Muzin, janë nën hetim nga FBI, pasi ekzistojnë dyshimeve të forta për favorizimin e ndikimit rus në zgjedhjet presidenciale.
Pak kohë më parë, portali prestigjioz “Politico” bëri me dije se CIA refuzoi një kërkesë të Townley, për t’u pajisur me një informacion “top sekret” në dispozicion të agjensisë, për shkak të dyshimeve rreth integritetit të tij. Në kohën kur Townley paraqiti këtë kërkesë, ai ishte drejtor për Afrikën, në Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
Nga sa lexohet në kontratën e nënshkruar me PD, zyrtarisht “Sonoran” është pajtuar për të ndihmuar demokratët që të hartojë një strategji kundër narkotikëve dhe kundër krimit të organizuar në vend, si dhe të lehtësojë aksesin e tyre në Kongresin Amerikan.
Pra PD paguan“Sonoran”, pavarësisht se qeveria shqiptare ka një marrëveshje me qeverinë amerikane dhe organet ligjzbatuese të saj për luftën ndaj krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe krimeve të tjera në Shqipëri.
Për më tepër që ka një marrëveshje si me FBI-në ashtu dhe me DEA-n amerikane të luftës kundër drogës për mbështetje në aksionet e përbashkëta ndaj krimit dhe trafikut të drogërave të forta në Shqipëri.
Megjithatë, ashtu si në rastin e kontratave të mëparshme me “Muzin Capitol” dhe “Stonington Strategies”, përshkrimi i punës mbetet tejet i mjegullt dhe dyshime të qënësishme çojnë në përfundimin se kjo kompani e re fshihet pas një numri artikujsh të sponsorizuar nga PD gjatë muajve të fundit.
Këto artikuj kanë pasur si qëllim parësor që të dëmtojnë imazhin e Shqipërisë në muajt përpara marrjes së vendimit për hapjen e negociatave të anëtarësimit, që jo pak kanë qënë burim debatesh dhe përplasjes mes mazhorancës dhe opozitës.
Ku mazhoranca e PS akuzon Bashën dhe opozitën se ka lobuar fort me para ruse për të bllokuar procesin e hapjes së negociatave të Shqipërisë me BE.
Ndonëse PD nuk është e vetmja forcë politike shqiptare që pajton lobues në Uashington, mbetet i pashpjegueshëm fakti që në çdo rast, kontratat e Bashës lidhen me persona të dyshuar nga drejtësia si agjentë rusë në SHBA.
Ndërkohë, investigimet e publikuara në mediat amerikane, implikojnë personat e përfshirë në aferat e lobimit të PD edhe me eksponentë të krimit të organizuar rus dhe persona të afërt të presidentit Putin, si oligarku Oleg Deripaska apo lobisti i diskretituar, Paul Manafort.
Manafort u arrestua në tetor të vitit 2017 dhe është aktualisht nën gjykim për lidhjet e tij me Rusinë, ndërsa Deripaska kërkohet prej drejtësisë amerikane.
Investigimi i “Mother Jones”, i publikuar në datën 6 mars, vetëm një ditë pasi Muzin u vendos zyrtarisht nën hetim, jep të dhëna të plota për këto lidhje të errëta të PD me Rusinë./Pamfleti