Loading...

Ku ndodhet kalaja e mbretëreshës?

NGA: Marin MEMA

Në legjendë ajo njihet si kalaja e mbretëreshës, por askush nuk di të thotë me saktësi arsyet e identifikimit me këtë emër. Zyrtarisht arkeologët e lidhin me Tërviolin, fshatin e Gramshit, i cili ndodhet thuajse ngjitur me këtë fortifikim. Vendndodhja në një pikë të lartë që bie thikë mbi kanionin e Holtës ka bërë që hulumtimet në këtë qendër arkeologjike të jenë të pakta.

Disa të tilla janë kryer në vitin 1988, duke dhënë elementë shkencorë të vyer për këtë kala, por pa mundur të zbardhin krejtësisht historinë e saj.

1

Në këto kërkime rezultoi se kalaja ka një mur të parë të hershëm, i cili është ndërtuar me blloqe gëlqerore të përmasave të mëdha të vendosur mbi njëri tjetrin e që sipas disa studiuesve i përket periudhës së hekurit.

Në brendësi dallohen rrënojat e dikurshme të disa banesave, të cilat lidhin hapësirat e kalasë me disa toponime mjaft interesante. Rrasa e Qytezës, Maja e Znanit dhe Guri i Rrushkullit janë vetëm një pjesë e emërtimeve të ruajtura si legjenda nga banorët. Banesat ndodhen më së shumti në pjesën qendrore të kalasë duke patur një strukturë thuajse të njëjtë.  Veç njëra prej tyre paraqitet me një planimetri gjysmë-rrethore, siç theksohet në rezultatet e gërmimeve të publikuara në vitin 1988 në revistën Iliria, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

2

Qeramikat e zbuluara i përkasin më së shumti periudhës së mesjetës së mesme dhe asaj të vonë, por ka edhe mjaft pjesë të tjera të mëhershme. Sigurisht kur elementët arkeologjikë, por edhe historikë janë kaq të pakët është e vështirë të japësh një përgjigje të prerë për këtë kala dhe të shkuarën e saj. Legjenda e lidh me një mbretëreshë enigmatike, për të cilën nuk dihet asgjë më shumë sesa ndonjë rrëfenjë e ruajtur mes banorësh.

4

A thua vërtetë në këtë kala të ketë jetuar një e tillë ? Pozicioni dominues të bën të kuptosh se këtu mund të ketë qenë një vend ku popullsia tërhiqej për t’u mbrojtur nga sulmet e ndryshme, ndoshta bashkë me ta ka qenë edhe mbretëresha jonë. Fundja edhe legjendat sado të çuditshme të duken, thellë ruajnë diçka të vërtetë

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com