Pas zjarrit masiv që shkrumboi disa zona në periferi të Athinës, duke lënë pas mbi 88 viktima e qindra të lënduar, ngrihet shqetësimi nëse edhe vendi ynë rrezikohet nga zjarret.
Vala e nxehtësisë në verë është rritur dukshëm në dekadat e fundit, çka sjell për rrjedhoje edhe rrezik të shtuar për prani të vatrave të zjarrit. Në parashikimet e tyre, sinoptikanët flasin për rritje të temperaturave në ditët në vijim, ndërsa vendi pritet të pushtohet nga i nxehti afrikan.
Instituti i Gjeoshkencave ka dalë me një njoftim ku sqaron se Shqipëria nuk kërcënohet nga zjarret këtë verë, dhe kjo për faktin se vendi është dominuar nga masa ajrore të paqëndrueshme, ku nuk kanë munguar reshjet e shiut.
Megjithatë, rreziku mbetet. Precedentët kujtojnë se dukuritë natyrore nuk janë i vetmi shkaktar i vatrave të zjarrit. Dora e njeriut, apo zjarret e qëllimshme, mbeten ende një rrezik i këtij fenomeni.
Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës për Tiranën, Shkëlqim Goxhaj, është shprehur se edhe vendi ynë është i rrezikuar nga zjarret në pyje, shkurre dhe kullota. Sipas tij, më të rrezikuara janë vendet bregdetare.
Në emisionin “Kjo javë” në “News24”, ai tha Shërbimi Zjarrfikës ka marrë një sërë masash për të parandaluar zjarret, dhe për të koordinuar strukturat në mënyrë që situata të tilla të menaxhohen në mënyrën më të mirë të mundshme.
“Mendoj se edhe vendi ynë është i rrezikuar nga zjarret në pyje, shkurre dhe kullota. Më të rrezikuara janë vendet bregdetare. Siç kem parë dhe nga viti i kaluar, pavarësisht se Tirana pati një numër të madh zjarresh, ne nuk patëm dëme në banesa ose në jetën e qytetarëve. Kjo për arsye edhe të rrymave të ajrit. Vitin e kaluar zjarret më të rrezikshme kanë qenë në Lezhë, Vlorë, në Llogara. Edhe në zonën e Tiranës jemi gjendur nën ndryshimin e rrymave të ajrit në zona të ndryshme, duke ndikuar tek përhapja e zjarreve”, u shpreh Goxhaj.
Ai bëri apel që qytetarët të bëhen më të ndërgjegjshëm sa i takon rrezikut nga zjarret, dhe të mos tentojnë të djegin mbeturina, apo territore të caktuara me të mbjella, apo bimësi./news24