Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, mori pjesë në hapjen e edicionit të dhjetë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në PriFest në Prishtinë, i cili do të mbahet nga 17 deri më 22 korrik.
Në këtë festival prezantohen filma të zhanreve dhe metrazhit të ndryshëm vendorë, nga rajoni dhe ndërkombëtarë.
Ministri Gashi tha se PriFest-i ka zënë vend të arsyeshëm në kinematografinë shqiptare. Ai po ashtu tha se ky festival ka ofruar emra meritor vendor e ndërkombëtar, të cilët e kanë fuqizuar rolin dhe rëndësinë e PriFest-it.
“Kësaj radhe, në këtë edicion, shteti i Kosovës është i nderuar dhe i respektuar, sepse do të prezantohen 11 filma të kategorive të ndryshme të Kosovës”, tha Gashi.
Gjithashtu ministri Gashi foli edhe rreth programeve përcjellëse apo plotësuese duke vlerësuar se ato programe kanë ndikuar edhe më shumë në fuqizimin e PriFest-it.
“Programet e PriFORUM-it si: ‘Kosova’s Rising Stars’ ku PriFest-i promovon aktorët e rinj të Kosovës, para filmbërësve ndërkombëtarë, si aset në bashkëproduksionet e ardhshme; Pastaj programi ‘Kosova Ready to Roll’ ku promovohet Kosova si vend potencial me xhirimet e filmave të huaj, por edhe bashkëpunim me “Swiss Contact” që organizon ekskursione për mysafirët ndërkombëtarë janë arsyet e fuqishme që na bëjmë të ndihem krenar si ministër dhe shoqëri për një aktivitet kulturor të tillë”, tha ai.
Po ashtu, ministri Gashi ofroi mbështetje për projektet e tilla: “Si ministër, zotohem se do t’u mbështesim në projektet tuaja legjitime, të cilat do ta përfaqësojnë kinematografinë shqiptare si në vend ashtu edhe jashtë Republikës së Kosovës. Kjo e fundit do të jetë shumë më kuptimplote kur do ta kemi edhe bashkëpunimin ndërkombëtar”, përfundoi ministri Gashi. /atsh