U mblodh pasditen e djeshme në një nga sallat e hotel “ROSSI” Asambleja e Klubit të Shkrimtarëve “Petro Marko”.
Mbledhja kishte për qëllim bërjen e analizës së punës tre vjeçare të Klubit të shkrimtarëve “Petro Marko” , pranimet e reja dhe zgjedhjet e organeve drejtuese të Klubit.
Raportin mbi punën tre vjeçare të Klubit të Shkrimtarëve “Petro Marko e mbajti kryetari i këtij klubi poeti Myrteza Mara, i cili u ndal tek aktivitetet e shumta të organizuara nga Klubi dhe në bashkëpunim, vlerësimin e anëtarëve të klubit poet dhe shkrimtar, bashkëpunimi me shoqatat e tjera simotra brenda dhe jashtë vendit etj.
Zoti Mara falënderoi ish sekretarin e Klubit zotin Gëzim Llojdia, i cili kishte dhënë dorëheqjen, për bashkëpunimin e deritanishëm dhe kontributin e dhënë në mbarëvajtjen e aktiviteteve të Klubit.
Pas pyetjeve dhe diskutimeve të pakta, u kalua në zgjedhjen e kryesisë së re të Klubit të shkrimtarëve “Petro Marko”, ku u propozuan shkrimtarët dhe poetët Idajet Jahaj, Anila Toto, Kozma Billa, Myrteza Mara, Rudina Papajani, Theodhori Proko, Çlirim Hoxha.
Të gjithë emrat e propozuar për anëtar të kryesisë u hodhën një për një në votim, pastaj kryesia e re u tërhoq për zgjedhjen e kryetarit, sekretarit dhe dy nënkryetarëve.
Në përfundim Kryetar i Klubit të Shkrimtarëve “Petro Marko” u rizgjodh poeti Myrteza Mara, i cili sipas statutit kishte të drejtën të zgjidhje sekretarin e këtij klubi.
Zoti Mara zgjodhi për sekretar të Klubit të Shkrimtarëve “Petro Marko” poetin Kozma Billa.
U zgjodhën gjithashtu edhe dy nënkryetar të klubit, poetja Rudina Papajani, e cila në mungesë për shkaqe pune e ka pranuar propozimin e kryesisë si dhe poeti Idajet Jahaj.