Ministria e Mjedisit ka marrë masën e bllokimit të lejeve të guroreve që operojnë në Malin e Tomorrit.
Në një konferencë për mediat, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi deklaroi sot në një konferencë për mediat se ka pasur abuzime të mëdha në gërmime por edhe ndryshim të koordinatave të lejeve të dhëna.
Ai denoncoi para mediave vendimet e marra nga Gjykata Administrative Vlorë për lejimin e punës së 2 subjekteve nga 9 të tilla, të cilëve Ministria ju ka revokuar lejet për guroret në Malin e Tomorrit.
“9 leje mjedisore për shkak të shkeljeve të rënda, u revokuan, duke i hequr të drejtën e vijimit të mëtejshëm të aktivitet dhe 10 të tilla u pezulluan. Në kundërshtim me çdo ligj dhe rregull në fuqi këto biznese, kishin nxjerrë përfitimet financiare në kurriz të malit, qytetarëve që flinin e zgjoheshin me tymin e bardhë të gurëve dhe turizmit të siteve historike dhe kulturore të zonës. Pezullimi dhe revokimi i lejeve mjedisore për këtë aktivitet që kishte shkaktuar as më shumë e as më pak, por një një katastrofë të vërtetë natyrore, u morr në zbatim të plotë të ligjit”, tha ministri.
Mes shumë të tjerash, vijoi Klosi, dy shkeljet më të rënda të konstatuara ishin, ndryshimi i koordinatave të gërmimit nga leja në terren dhe mungesa e zbatimit të detyrimit ligjor për rehabilitimin e zonës së gërmuar.
Sipas tij, vendimi i Gjykatës Administrative Vlorë është absurd dhe tërësisht arbitrar.
“Ky vendim me hije të forta korruptive, bëhet edhe më shumë pis, pasi për të njëjtin proces gjyqësor, me të njëjtin objekt ankimi, e njëjta gjykatë dhe i njëjti gjyqtar, i ka dhënë të drejtë vetëm 2 nga 9 subjekteve ( të gjitha në shkelje të ligji) që kishin kundërshtuar revokimin e lejes mjedisore. Në vendim, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Vlorë: ka vendosur “Pranimin e masës së sigurisë për dy aktpadi, nga 9 të tilla që ishin paraqitur pranë saj. Kjo do të thotë me fjalë të tjera: se gjykata deri në shqyrtim në themel të çështjes, i jep të drejtë këtyre dy subjekteve të vijojnë punën e gërryerjes së Malit të Tomorrit. Pikëpyetja që e ka edhe përgjigjen brenda është: Përse dy guroreve, ju është dhënë e drejta të rifillojnë punën, dhe për 7 të tjera, me të njëjtat kushte dhe me të njëjtin objekt ankimimi, gjykata rrëzuar kërkesën e tyre? Pikëpyetja tjetër edhe më e rëndë është: si ka mundësi që për këtë subjekt, ku duket qartë ndryshimi i koordinatave, gjykata i ka dhënë të drejtë të vijojë biznesin barbar të gërryerjes së Malit të Tomorrit??”, deklaroi Klosi.
Megjithatë ministri siguroi qytetarët se ministria që ai drejton do të vazhdojë luftën dhe përpjekjet për zbatimin e ligjit.
Klosi deklaroi se dhe kjo zonë ku janë bërë gërmimet, fshati Novaj do të jetë pjesë e Parkut Kombëtar të Tomorrit, duke zgjeruar kufijtë e këtij parku.
Ndërkohë është shpallur Park Natyror, Lugina e Zagorisë dhe së shpejti do të shpallet Peizazh i Mbrojtur dhe Mali i Krujës. /atsh