Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi deklaroi sot se nuk do të tolerohet asnjë shmangie nga VKM për ndalimin e përdorimit të qeseve, një nga ndotësit më të mëdhenj në vend.
Ndërsa vijon në të gjithë vendin kontrolli dhe fushata e ndërgjegjësimit për ndalimin e prodhimit, importit dhe përdorimit të qeseve plastike, ministri Klosi tha se ka vijuar takimet sqaruese dhe konsultuese edhe me prodhuesit dhe ricikluesit e plastikës në vend.
Në tryezën e mbajtur me përfaqësuesit të bisnesit të plastikës, ministri Klosi tha se ata do të jenë pjesë e hartimit të këtij udhëzimi, duke iu kërkuar bashkëpunim edhe për këtë proces. “Ajo që nuk negocionet, – deklaroi ministri KLosi, – është ndalimi njëherë e përgjithmonë i përdorimit të plastikës së pariciklueshme në vend. Një vend si Shqipëria, me përparësi turizmin, nuk mund të vijojë më të ndotet nga plastika”, – tha Klosi në takimin me ricikluesit duke përmendur edhe masat ndëshkuese në ligj, nga 1 milion deri në 1.5 milionë lekë të reja për këdo që vijon të hedhë në përdorim këtë produkt.
Më tej, Klosi kërkoi bashkëpunimin e të gjithëve për të denoncuar mungesën e kontrolleve nga ana e inspektoriateve në zona të caktuara, bashkëpunimin e pushtetit vendor, prodhuesve dhe qytetarëve.
“Vetëm duke u bërë bashkë në interesin e lartë të eleminimit të qeseve, do të arrijmë reduktimin e shpejtë të këtij ndotësi”, – deklaroi Klosi.
Ndërsa, ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Sonila Qato vlerësoi procesin e diskutimit të vijueshëm me komunitetin e bisnesit, duke shtuar se detajimi i ligjit do t’i vijë në ndihmë bisnesit për të mos lënë shtigje interpretimi në terren nga inspektoriatet, tatimet dhe doganat. /atsh