Tre shpërndarës kokaine në Tiranë kanë përfunduar në prangat e policisë në finalizim të operacionit të koduar “Pizza Porosi”. Të arrestuarit janë Gersi Çeça, 28 vjeç; Renaldo Dalipi, 25 vjeç; Albian Avdo, 27 vjeç, të tre banues në Tiranë.
Policia thotë se disponohej informacion se në bashkëpunim me njëri-tjetrin shpërndanin lëndë narkotike të llojit Kokainë në zona të ndryshme të Tiranës dhe për të shmangur kontrollet e Policisë shpërndarjen e lëndës narkotike e kryenin me motorin e picerisë ku punonin.
Nga Seksioni kundër Narkotikëve është organizuar puna për kapjen e tyre në flagrancë dhe më datë 11.07.2018, shtetasi Renaldo Dalipi është konstatuar duke lëvizur në rrugën “Gani Domi” me mjetin tip “Audi” dhe gjatë kontrollit të ushtruar në mjet nga shërbimet e Policisë i është gjetur një qese me lëndë narkotike e dyshuar e llojit Kokainë. Gjithashtu është ushtruar kontroll në picerinë ku të tre këta shtetas punonin ku dhe u bë ndalimi i dy bashkëpunëtorëve të tjerë (shtetasve Gersi Çeça dhe Albian Avdo).
Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale : 200 gramë lëndë narkotike e dyshuar e llojit Kokainë; Automjet tip “Audi” Motori i Picerisë; Tre aparate celular; Fishekë.