Një sasi prej 500 kg mariuanë është sekuestruar paraditen e së hënës, e fshehur brenda një skafi, e cila po lëvizej me një makinë nëpër rrugët e Leçes.
Droga, e cila dyshohet se ishte nisur nga Shqipëria, u gjet gjatë një kontrolli nga policia italiane, e cila kishte vënë re lëvizjet e dyshimta të të arrestuarve dhe ishte vënë në ndjekje të tyre.
Në kontrollin që iu bë mjeteve të të arrestuarve, si atë detar edhe në atë rrugor, u gjet sasia e konsiderueshme e lëndës narkotik si edhe një armë zjarri pistoletë.
Lënda narkotike ishte fshehur brenda një gomone rreth 7 m e gjatë, e cila po tërhiqej nga një “Mitsubishi” në autostradë. Një automjet tip “Fiat” e shoqëronte, ndërsa brenda tij ishin dy vëllezërit italianë Cristian dhe Michele Cito, respektivisht 29 dhe 38 vjet.
Ka qenë një efektiv policie i Leçes i cili ka ndaluar automjetet, ndërsa Fiat-i, me drejtues Vincent Pulli, 40-vjeçar, ka tentuar të largohet, duke lëvizuar në drejtim të kundërt, por është bllokuar nga policia.
Në automjetin tip Fiat, përveç dy vëllezërve, ishte i pranishëm edhe Arsen Xhaferi, shqiptar 32 vjeçar me një histori emigracioni të paligjshëm në Itali. Në bordin e gomones trafikantët kishin ngarkuar pajisje peshkimi, për të fshehur ngarkesën e drogës. Policia gjeti rreth 502 kg marijuanë, ndërsa në makinën tjetër u sekuestua një armë zjarri model rus, Tokarev, me një fishek brenda.
Mësohet se shqiptari kishte mbërritur në brigjet e Leçes me gomone dhe nga aty do të fshihej në një vend të sigurt së bashku me italianët, në pritje të hedhjes së drogës në treg, e cila do kapte vlerën e 600 mijë euro.