Pas stacionit të parë të ndërtuar në luginën e Lumit Drino, Bashkia Dropull, është stacioni i dytë i ushqimit plotësues për shkabat i ndërtuar në vend dhe gjendet në krahinën e Kurveleshit, Bashkia Tepelenë.
Brenda kësaj strukture do të vendosen mbetje mishi të thertoreve të pakonsumueshme nga njerëzit dhe do të shërbejnë si ushqim i sigurt për kalin e qyqes dhe shpendët e tjerë grabitqarë me qëllim rimëkëmbjen e popullatës së tyre.
Një ndër shkaqet kryesore të rënies së popullatës së kalit të qyqes në vendin tonë është helmimi i paqëllimshëm.
Blegtorët të cilët humbasin gjënë e gjallë si pasojë e mishngrënësve të mëdhenj si psh. ujku vendosin në mënyrë të paligjshme helm në kërmën e kafshës së dëmtuar me qëllim që të asgjesojnë kafshën dëmtuese.
Kali i qyqes dhe shpendë të tjerë grabitqarë që ushqehen me kërma bien viktimë e kësaj dukurie. Kjo strukturë pritet të zbusë riskun e helmimit të shpendëve grabitqarë.