Të premten, një grup xhirimi i Top Channel, i cili po filmonte aktivitetin e hidrocentraleve në Valbonë, u sulmua nga disa persona të cilët rezultuan se ishin punonjës të një kompanie “security”, të kontraktuar nga firma “Gener 2”.
Top Channel publikon pamjet filmike të momentit të sulmit, kur shtetasi Muhamed Gjongeci, një punonjës i kompanisë së sigurisë, afrohet bashkë me dy të tjerë pranë grupit të xhirimit.
E në këtë moment, Gjongeci ka nisur të ofendojë grupin e xhirimit të Top Channel me fjalë fyese dhe më pas është konfrontuar fizikisht me ta. Nga pamjet e filmuara nëpërmjet dronit, Gjongeci i merr telefonin regjisorit që po drejtonte dronin dhe gjatë përplasjes fizike me gazetarin i cili ndërhyri për të qetësuar situatën, rrëzohen në tokë.
Punonjësi i “security” Gjongeci ngrihet, merr telefonin dhe godet me grusht një qytetar që po shoqëronte grupin e xhirimit të Top Channel. E gjithë skena është është rreth 25 sekonda, e filmuar rastësisht nga droni i ngritur për të parë situatën e ndotjes së Lumit Valbonë, nga punimet e kompanisë “Gener 2”.
Mvsohet se gazetarët janë sulmuar në rrugë dhe jo në ambient privat nga ata që dhunojnë natyrën me leje koncensionare, ndërsa kompania deri më tani nuk ka kërkuar asnjë ndjesë për ngjarjen.
Mohamed Gjongeci është i arrestuar në ambientet e Komisariatit të Tropojës, ndërsa prokuroria po përgatit dosjen për të ngritur akuzën ndaj tij.
Pavarësisht nga incidenti, Top Channel do të realizojë dokumentarin mbi ndërtimin e hidrocentraleve mbi lumin Valbonë, duke publikuar shkeljet dhe shkatërrrimin e mjedisit në këtë zonë.