Debati ne ekran mes Sali Berishës dhe Fatos Nanos në vitin 2002 në “Opinion” në Tv Klan është debati më i famshëm dhe më i ndjekur në vend, emision që u transmetua në atë kohë edhe në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi. Dy liderët politikë të asaj kohe “rrahën” mendimet ballë për ballë, nën moderimin e gazetarit dhe drejtuesit të emisionit Blendi Fevziu. Ishte hera e parë që liderët politikë të dy partive kryesore të vendit ballafaqoheshin në një përballje televizive, në një kohë kur nuk kishte kaluar shumë nga viti i mbrapsht 1997.
Pjesë nga debati:
Blendi Fevziu: Meqë jemi brenda kësaj pjese, a mund ta nisja debatin duke kërkuar opinionin tuaj për dorëheqjen e kryeministrit Meta dhe tentativat që po bën Partia Socialiste për të ngritur një qeveri? Për të ndërtuar një qeveri të sajën?
Fatos Nano: Unë besoj se po mësojmë në mënyrë të qëndrueshme, normale pas 10 vjet përvoje në demokraci, edhe ushtrimin demokratik të kapërcimit të krizave, të negociimit për zgjidhjen e tyre dhe natyrisht këtë radhë ushtrimesh për të krijuar një kabinet të ri të mazhorancës. Nuk është fare i ri, ka nuancat e veta si ushtrim demokratik, dhe nuk mund të mos i referohem në këtë moment, përvojës sonë edhe precedentëve, kur kjo maxhorancë është më cilësore, sesa legjislaturën e kaluar, ka ditur të aktivizojë përgjegjësinë, skemën dhe potencialin që ekzistojnë brenda saj për të kaluar në kabinete të vazhdimësisë, stabilitetit dhe të rritjes. Ne jemi të angazhuar për ta zgjidhur në mënyrën më të mirë të mundshme, edhe këtë herë çështjen dhe nuk besoj se do të çudisim njeri duke arritur konsensuset e duhura.
Blendi Fevziu: Zoti Berisha nuk e di nëse komenti juaj do të ishte i njëjtë me atë të kryeministrit Meta, megjithëse është një zhvillim i Partisë Demokratike, është një zhvillim që lidhet me gjithë politikën shqiptare.
Sali Berisha: Si rregull, një qeveri bie kur nuk qeveris, në këtë kontekst, sot pata kënaqësinë të dëgjoj ish-kryeministrin të pohojë se 3 muajt e fundit që nga Qershori, ai nuk ka qeverisur. Ç’ka do të thotë që kjo është një rënie shumë e vonuar, shkaqet e mosqeverisjes, janë aboslutisht në dhunimin e zgjedhjeve, dhunim i cili tashmë është bërë universalisht i pranueshëm, dhunim i cili vazhdoi në një mënyrë dhe i besueshëm edhe në PD. Deri në momentin që gjykatësi Mark Adia u mposht para dy ditësh. Pra, kryeministri Meta nuk mund të qeveriste, humbi votëbesimin në parlament, nuk fitoi votëbesimin, humbi dy ditë më parë edhe unë e kam përshëndetur pavarësisht se me shumë vonesë. Realisht duhet të jem i sinqertë, jo për të krijuar një aleancë me zotin Nano dhe grupin që mbështet, por për dinjitetin e qeverisjes së një vendi, do të bashkonim votat me një mocion për ta larguar. Me grupin tuaj, me ata deputetë të grupit tuaj, të cilët besojnë se vendi duhet të ketë një qeverisje me votëbesim.
Fatos Nano: Është 50 % e vërtetë. Jeni dhe ju dakord për këtë gjë.
Sali Berisha: Tani aq sa është unë them se e zgjidhi vetë, ai dha dorëheqjen, nuk lejoi të krijohej ky moment, i cili nuk është se nuk do të kishte ca rumore, në publicistikët dhe analistët shqiptarë, por do vinte në emër të interesit të një qeverisje. Tani, hymë sot në parlament, parlamenti ishte pa qeveri, s’kishte asnjë ministër, përveç Majkos që mund të ketë ca aspirata, të gjithë mungonin.
Blendi Fevziu-Nanos: S’besoj se kishe mbledhje me ministrat…
Fatos Nano: Kishte një kuorum të mjaftueshëm për të zgjedhur edhe zonjën Topalli, ministrat ishin në respekt të barazisë së palëve dhe kjo është elektronikisht e kontrollueshme. Po zoti Berisha më vjen mirë që s’do të shikojë mbrapa.