Ministri i Brendshëm italian, Matteo Salvini kërkoi sot ‘’garanci’’ përpara se të autorizojë një anije të rojeve bregdetare italiane për t’u ankoruar në një port të gadishullit me gjashtëdhjetë migrantë në bord, duke rikonfirmuar vendosmërinë e palës italiane për këtë çështje.
Në mesin e rreth 67 migrantëve që ndodhen në bordin e anijes ‘’Diciotti’’ të rojeve bregdetare, disa besohen të jenë revoltuar nga frika e kthimit në Libi ndaj ekuipazhit të anijes italiane, e cila i mblodhi këto migrantë në brigjet libiane.
Ekuipazhi i ‘’Vos Thalassa’’, pas kërcënimeve të marra u detyrua të mbyllet në sallën e kontrollit të anijes duke thirrur për ndihmë qendrën e shpëtimit në det me seli në Romë për të zhbllokuar situatën, sipas deklaratave të raportuara nga mediat italiane.
‘’Për momentin, nuk ka port për Diciotti-n’’, u shpreh sot për median, Matteo Salvini,duke siguruar se autorët e mundshëm të kërcënimeve apo akteve të dhunës nuk do të përfundojnë në hotel por në burg.
Sipas informacioneve të medias, ‘’Diciotti’’ i rojeve bregdetare ka mundësi të ankorohet në portin siçilian të Trapanit.
Në postin e ministrit të Brendshëm që nga 1 qershori, Salvini i cili është gjithashtu zëvendëskryeministër dhe lider i Ligës (ekstremi i djathtë) vendosi një muaj më parë për të ndaluar hyrjen në portet italiane të OJQ-ve që shpëtojnë migrantë në Mesdhe, një qëndrim që shënon linjën e re të ashpër të Italisë në fushën migratore./atsh