Problemi i pajisjes së qytetarëve me leje drejtimi duket se është zgjidhur. Pas mungesës disa mujore të pajisjes që printonte lejet e drejtimit, për shkak të një problemi politik që bllokoi procedurat e prokurimit, Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor, prej një muaji ka prodhuar mbi 40 mijë leje drejtimi.
Gjatë ditës së premte kanë tërhequr lejet e tyre qytetarët që kishin aplikuar në datën 16 korrik dhe situata pritet të kthehet në normalitet. Këtë fakt e konfirmon edhe vetë ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, i cili inspektoi shërbimin që ofrohet në Drejtorinë Rajonale të Tiranës. Sipas Gjiknurit, tanimë çdo shërbim është i hapur dhe problematikave që dalin, u jepet zgjidhje në çast.
“Gjithçka është transparente. Çdo problem që haset, shkohet direkt te menaxheri dhe gjendet zgjidhja”, u shpreh Gjiknuri.
Një praktikë e tillë shërbimi pritet të aplikohet edhe në drejtoritë rajonale në të gjithë vendin./shqip