Deputetja e PS-së, Vasilika Hysi theksoi gjatë seancës plenare se ndryshimet e propozuara në ligjin e dhunës përfshijnë rekomandimet nga BE-ja dhe Kombet e Bashkuara.
“Më konkretisht, nisma që ka sjellë Këshilli i Ministrave synon të garantojë që në momentin e denoncimit, periudhë kjo që ka qenë vakuum ligjor”, tha Hysi. Gjatë fjalës së saj, deputetja tha se mekanizmat e raportimit të dhunës janë ngritur në disa bashki, por ka probleme në zbatimin e tyre.
“Në disa bashki janë ngritur mekanizmat për raportimin e dhunës, në disa të tjera nuk ka mekanizma të tilla, por edhe në disa bashki ku janë ngritur këto të fundit nuk funksionojnë. Ne do të kemi detyrë që të sigurojmë ngritjen e këtyre sistemeve dhe funksionimin e tyre”, tha deputetja e PS-së.
Hysi i bëri thirrje kryetarëve të bashkive për të treguar përgjegjshmëri lidhur me punonjësit që do të jenë pjesë e sistemit të referimit të dhunës. “Do të doja të bëja apel të 61 kryetarëve të bashkive, të mendojmë më mirë për ngritjen e këtyre mekanizmave mbrojtjes, të punësimit të punonjësve të përgatitur”.
Ndërkaq, ajo ka thënë se komentet dhe rekomandimet e marra janë përfshirë në ndryshimet ligjore e ligjit kundër dhunës. “Komentet dhe rekomandimet janë analizuar një për një me ekspertë dhe janë marrë në konsiderate në pjesën më të madhe të tyre. Ka pasur edhe konsultim dhe me organizatat e shoqërisë civile”.
“Risia e këtij ligji është përmbushja e pjesës më të madhe të rekomandimeve, ku me një projektligj kemi bashkërendimin e shumicës së rekomandimeve nga Këshilli i Europës dhe Kombeve të Bashkuara”.
Po kështu, ajo i kërkoi ministrit të Financave lidhur me arsimin profesional, për gratë dhe vajzat e dhunuara apo që kanë probleme ekonomike, për t’i ardhur në ndihmë.
“Një apel tjetër, për të planifikuar buxhete të nevojshme për zbatimin e ligjit të strehimit social dhe si zbatim edhe i ligjit të dhunës në familje”, përfundoi ajo./atsh