Loading...

Hordhia që ka zaptuar vijën bregdetare, me lejen e pushtetit lokal dhe të qeverisë

Zaptimi i vijës bregdetare nga disa dhjetra persona në përbërje të të cilëve gjen biznesmenë, të fortë, persona me precedentë penalë, sekserë e gjithëfarëlloj tipash e prototipash, është një nga dukuritë me përmasat më të shëmtuara të këtij sezoni veror. Një dukuri e cila sa vjen e përhapet më shumë, duke mos njohur asnjë lloj kufizim.i. Që nga Velipoja, Shëngjini, Durrësi, Golemi, Semani, Kavaja, e duke kaluar më pas në Vlorë, Rradhimë, Himarë, Dhërmi, Lukovë, Jal, Borsh e deri në Sarandë, kjo hordhi zaptuesish thuajse ka futur nën kthetrat e saj të gjithë rripin bregdetar, duke vendosur taksë ndaj pushuesve nëpërmjet çadrave e shezllongjeve.

Kjo hordhi zaptuesish mban pas vetes dhe qindra persona të tjerë të cilët operojnë si ‘taksidarë’, duke mos lejuar njeri të hapë çadrën dhe të vendosë shezllongjet, pa u paguar atyre më parë haraçin. E gjitha kjo bëhet ‘ditën për diell’. Pa asnjë mëdyshje edhe në bashkëpunim me segmente të korruptuara të pushtetit lokal në nivelet më të larta të tij, deri dhe tek kryebashkiakët. Eshë pikërisht pushteti lokal, i cili ka nën administrim këto territore, që i jep plazhet me qira. Natyrisht është një aferë e pastër korruptive deri dhe kriminale. Por ajo që është edhe më tronditëse është heshtja e shurdhët e qeverisë përballë këtij fenomeni që u’a ka bërë shqiptarëve jetën ferr në plazh dhe ka shtuar kostot e tyre të pushimeve.

Ligji për hapësirat në zonat e plazheve përcakton qartë se cila është hapësira për shfrytëzim nga biznesi i vijës bregdetare dhe cila është hapësira e plazhit publik. Ky ligj e shtrin veprimtarinë e tij përgjatë gjithë vijës bregdetare nga Velipoja deri në Sarandë. Por si zbatohet praktikisht ligji në terren? As që pyet njeri për ligjin. Me letra merret hapësira që përcakton ligji. Në terren thuajse të gjithë zaptuesit e 4 fishojnë deri 10 fishojnë hapësirën që u është dhënë me letra, duke mos lënë asnjë vrimë për plazh publik. Për këtë zaptim ata paguajnë edhe haraçin ndaj zyrtarëve të pushtetit lokal duke blerë me këtë rast edhe heshtjen e tyre ndaj shkleljes së ligjit.

Por shkelja e ligjit nuk ka të bëjë thjeshtë me zaptimin e hapsirës përgjatë vijës bregdetare. Për pjesën dërrmuese të çadrave dhe shezllongjeve, që njerzit paguajnë, nuk lëshohet asnjë kupon tatimor dhe nuk paguhet asnjë detyrim fiskal për këto të ardhura në buxhetin e shtetit, duke qenë në këtë mënyrë një fitim i pastër pa asnjë mund me pasuritë publike. Në kohën kur shteti ‘fut në vrimë të gjilpërës’ dhe një këpucar në skemën e TVSH, hordhia zaptuese me qindra çadra përgjatë vijës bregdetare, as që do t’ia dijë për TVSH. Qindra mijëra tatimorë nuk lenë rrugicë qorre pa kontrolluar në Tiranë dhe pa vënë gjoba mbi njerëz që mezi mbajnë në këmbë bizneset familjare, ndërsa në bregdet nga Velipoja në Sarandë nuk sheh këmbë tatimori.

Në këtë aferë të pacipë antiligjore, për nga kurajo, është i përfshirë kokë e këmbë pushteti lokal. Janë ata përgjegjësit e drejtpërdrejtë të kësaj katrahure, të cilve u’a kanë mbyllur gojën me para. Nëse merr lejen për 20 çadra dhe në terren janë 200 të tilla, nuk do shumë mënd për të kuptuar se mungesa e reagimit vjen nga fuqia e korruptimit. Për të mos vijuar më tej se zaptuesit ose janë njerëz të afërt të kryetarit të bashkisë ose ndonjë zyrtari tjetër të lartë, ose janë të afërm të deputetëve të zonës. Nuk ka si shpjegohet ndryshe që përballë këtij realiteti askush nuk reagon.

“Deti është i joni, deti është i të gjithëve’. Ky është një postulat që vjen nga qindra shekuj. Por mesa duket për t’u larë në det duhet të biesh nga qielli se nga toka të gjitha shtigjet thuajse janë mbyllur. Këtë situatë të pashembullt jo vetëm që se gjen në Evropë, por as në Ballkan. As që mund të çohet në mend që vijën bregdetare ta pushtojnë dhe përçudnojnë në këtë mënyrë as në Kroaci, as në Mal tyë Zi, as në Greqi, Bullgari, Rumani etj., etj. Kjo situatë ka rritur kostot e pushimeve duke i bërë ato deri në kufijtë e pamundësisë, pasi duhet të paguash për çadrën, të mos guxosh të kesh marrë ujë apo ndonjë pije freskjuese me vete se befas 3 veta të shfaqen në çadër e të zbojnë që aty pasi duhet të blesh nga lokali i tyre pa leje, nuk guxon dot të marrësh bukë me vete se shpërthen sherri me bishta çadrash, nuk mund të parkosh pa paguar lek në parkingun pa leje etj. Vetëm shpenzime akomodimi në ditë minimalisht shkojnë 1500 lek të reja, pa llogaritur të tjerat.

Qeveria e ka shpallur turizmin si një nga alternativat më të mira për zhvillimin e vendit. Në fakt e tillë është sepse gjeneron jo pak të ardhura për bizneset, por edhe për turizmin familjarë. Por nëse qeveria e ka konceptuar zhvillimin e turizmit për një grusht njerëzish nga tarafi i saj dhe për zaptuesit e vijës bregdetare, atëhere ky objektiv strategjik i qeverisë në një të ardhme shumë të afërt do të pushojë i qenë i tillë. Për momentin kjo që po ndodh nuk është turizëm, por zhvatje publike ë njerëzve nëpërmjet pasurive publike. Një qeveri që nuk arrin të kontrollojë territorin është një qeveri që nuk është për publikun, por për një taraf njerëzish rreth saj. Në këto kushte, për uljen e kostove të pushimeve, duket se do të na duhet të negocojmë me hordhitë që kanë zaptuar vijën bregdetare./javanews

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com