Merr fund epoka e Sali Berishës dhe Ilir Metës, humbja e kontrollit mbi drejtësinë do të sjellë humbjen e pasurive të korrupsionit dhe humbjen e pushtetit politik. Deri më tani është çliruar kupola e drejtësisë që nga Gjykata e Lartë, Gjykata Kushtetuese dhe Shkolla e Magjistraturës, në radhë janë KLD, gjykatat dhe prokuroritë e apelit dhe të shkallës së parë
Sali Berisha dhe Ilir Meta, dyshja përgjegjëse për plaçkitjen dhe rrënimin e gjithanshëm të Shqipërisë, gjatë 28 viteve të pluralizmit, po humbet ndikimin mbi drejtësisë. Në fund të vitit të kaluar, Berisha dhe Meta humbën ushtarin e tyre më të rëndësishëm, Adriatik Llallën, të cilin e kishin vendosur në krye të Prokurorisë së Përgjithshme. Për të mos lejuar zëvendësimin e Llallës, Berisha dhe Meta e bënë Parlamentin tym dhe flakë, ndërsa Monika u shpërfytyrua duke hequr edhe çizmen. Pavarësisht përpëlitjeve, sot Adriatik Llalla është në arrati nga frika e burgut dhe i shpallur non grata nga SHBA.
Pak para rrëzimit të Llallës, Berisha dhe Meta humbën kontrollin mbi Shkollën e Magjistraturës, aty ku prodhohen gjyqtarët dhe prokurorët e rinj. Pavarësisht rezistencës së madhe të Berishës dhe zagarëve rreth tij, u bë e mundur shkarkimi i avokatit të Berishës, Neshat Fana nga kreu i Shkollës së Magjistraturës. Pak më vonë, bashkëshortja e Neshat Fanës, Mirela Fana, dha dorëheqjen nga Gjykata e Lartë nga frika e Vetingut.
Berisha dhe Meta humbën edhe dy njerëz të tjerë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Elvis Çefën dhe Lulzim Leçajn. Sali Berisha lëvizi çdo gur dhe luftoi në parlament për t’i mbrojtur këta dy persona, por që të dy u shkarkuan nga Parlamenti. Të gjitha këto lëvizje kanë pasur mbështetjen e ndërkombëtarëve si dhe kanë qenë pjesë e planit të SHBA-BE për të çliruar drejtësinë nga duart e Sali Berishës dhe Ilir Metën. Plani është i mirëmenduar dhe po zbatohet në disa faza.
Goditjen më të madhe, Sali Berisha dhe Ilir Meta, e kanë marrë ditët e fundit. Dyshja famëkeqe ka humbur kontrollin mbi dy gjykatat më të rëndësishme në Shqipëri, mbi Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë. Të gjithë njerëzit e Berishës dhe Metës në këto dy gjykata u futën në listën e zezë të SHBA-BE dhe u shkarkuan një nga një. Në lakun e Vetingut ranë njëri pas tjetrit Tom Ndreca, Admir Thanza, Fatos Lulo, Gani Dizdari, Besnik Imeraj dhe Altina Xhoxhaj. Të gjithëve iu gjet nga një shkak për t’i shkarkuar. Të gjithë këta janë emëruar nga Sali Berisha dhe Ilir Meta, në kuadër të kapjes së drejtësisë. Ndëshkimit i shpëtoi vetëm kreu i Kushtetueses, Bashkim Dedja, i cili u tregua dinak duke e ndryshuar pllakën në kohë, duke u distancua nga Berisha dhe Meta. Megjithatë edhe për “dinakun” OMN apeloi dhe si rrjedhojë shanset për të shpëtuar janë shumë to vogla.
Shkarkimi i këtyre njerëzve të drejtësisë ka shënuar ditën më të zezë për Sali Berishën dhe Ilir Metën në karrierën e tyre politike dhe kriminale. Shkarkimi i ushtarëve do të thotë humbje e kontrollit mbi drejtësinë. Humbja e kontrollit mbi drejtësinë sjellë disa pasoja të pashmangshme.
Së pari, drejtësia e re që po ngrihet mund të konfiskojë në çdo moment pasuritë e Sali Berishës dhe Ilir Metës, duke përfshirë edhe pasuritë e zagarëve të tyre politikë.
Së dyti, duke humbur fuqinë ekonomike dhe politike, Sali Berisha dhe Ilir Meta mund të merren të pandehur dhe të përfundojnë në burg nga drejtësia e re. Ata kanë një karrierë të pasur dhe të shtrirë në gati tre dekada me krimet njerëzore dhe ekonomike. Kapja e drejtësisë ka qenë arma jetike e Sali Berishës për të sunduar dhe plaçkitur vendin. Humbja e kontrollit mbi drejtësisë sjell gradualisht humbjen e pasurisë, fuqisë ekonomike, humbjen e pushteti dhe në fund edhe të lirisë.
Shkërmoqja e Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatës Kushtetuese është vetëm hapi i parë i veprimit. Pas tyre, radhën e kanë lukunia e gjyqtarëve dhe prokurorëve të Sali Berishës dhe Ilir Metës në të gjitha shkallët e gjyqësorit. Shkarkimi i tyre do të shënojë edhe fundin epokës Berisha-Meta, një prej historive me fatkeqe dhe të turpshme të kombit shqiptar./Pamfleti