E kishte dorëzuar 7 herë të njëjtin dokument në zyrën e Hipotekës, pasi i kërkohej çdo herë që paraqitej për të kërkuar nxjerrjen e certifikatës së pronësisë. Kjo histori do të kishte vazhduar e njëjtë për familjen e Ismail Asmetës, por adresimi i problemit në platformën “Shqipëriaqëduam.al” e pajisi këtë familje me certifikatë pronësie brenda dhjetë ditësh. Kështu, pasi ishte dorëzuar në hipotekë në dhjetor 2015 planvendosja e banesës nga familja në fjalë, ky dokument nuk gjendej duke krijuar sorollatje të pafund.
Me ankimimin në portal, nuk u bë gjë tjetër vetëm se u morr informacioni i duhur, u gjet dokumenti dhe certifikata doli brenda dhjetë ditësh.
Në koment të këtij rasti, kryeministri Edi Rama vuri në dukje se bëhet fjalë për një rast tipik me hipotekat dhe për fat të keq, siç tha ai, jo i shkëputur. “Dëshmia e qytetarit inkurajon ata që kanë më shumë se një vajtje-ardhje në hipotekë, të drejtohen në platformë që ecejakja të marrë fund dhe të identifikohen personat që prodhojnë këto tortura tërësisht të paligjshme dhe të ndëshkohen”, theksoi kryeministri.
Ai vuri në dukje se jo vetëm familja zgjidhi problemin, por personat që u bënë shkaktarë të tij, janë në proces ndëshkimor administrativ dhe do të vlerësohen deri në fund nga task-forca antikorrupsion e ministrisë së Drejtësisë, nëse bëhet fjalë për një vepër penale, e nëse kjo vërtetohet, do të dërgohen në prokurori. /atsh