Loading...

Hetimit Tatimor vijon kontrollet, bllokon 6 ambiente për moslëshim kuponi

Strukturat e Hetimit Tatimor kanë vijuar kontrollet në kuadër të zbatimit të planit të masave për sezonin turistik. Vetëm gjatës ditës së shtunë janë kontrolluar 185 subjekte dhe janë konstatuar shkelje të legjislacionit tatimor për 82 prej tyre, në vlerë shkelje 2,4 milionë lekë.

Nga ana e inspektorëve të Hetimit Tatimor janë bllokuar ambientet e 6 tatimpaguesve për 30 ditë kalendarike për moslëshim kuponi tatimor (rasti i përsëritur). Subjektet e bllokuara janë Tropikal Resort, Durrës; Piratët, Dhërmi; Kompleksi San Pietro, Golem, Durrës; Restorant “Kalaja e Tetovës”, Zona Plazhit Iliria, Durrës; Restorant Ibiza, Gjiri i Lalëzit, Durrës; Market Bolena, Sarandë.

Janë konstatuar 7 subjekte të paregjistruara në organet tatimore, për të cilat janë marrë masat e bllokimit deri në momentin e regjistrimit të tyre si subjekt TVSH, 18 tatimpagues janë konstatuar në shkelje të moslëshimit të kuponit tatimor.

3 tatimpagues nuk kanë të instaluar pajisjet fiskale dhe 5 të tjerë nuk i mbajnë pajisjet fiskale në gjendje pune.

Gjatë kontrolleve janë evidentuar 13 subjekte që disponojnë mallra pa dokumentacion tatimor.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Administrata Tatimore i ka bërë thirrje sipërmarrjeve që ushtrojnë aktivitetin në sektorin e turizmit që të respektojnë detyrimet ligjore në funksion të përmbushjes së përgjegjësive tatimore, deklarimit të punonjësve dhe lëshimin e kuponit tatimor.

Në të njëjtën kohë, MFE fton të gjithë qytetarët të japin kontributin e tyre duke denoncuar rastet e abuzimit, informalitetit dhe paligjshmërisë.

Strukturat tatimore në terren do të vijojnë të jenë prezente në çdo biznes, për të këshilluar dhe asistuar, me etikë dhe profesionalizëm, sipërmarrjet të korrigjojnë përgjegjësinë tatimore dhe pajtueshmërinë me ligjin./atsh

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com