Kryeministri grek dekreton tri ditë zi kombëtare –ATHINË, 24 korrik /ATSH-ANA/ – Është kohë e vështirë për Atikën, një natë e vështirë për Greqinë, por më shumë se 600 zjarrfikës dhe 300 automjete po punojnë në tre fronte, deklaroi sot kryeministri grek, Aleksis Cipras, pas takimit informues në Qendrën e Koordinimit të Brigadave Zjarrfikëse në Halandri.
Kryeministri i bëri thirrje të gjithë qytetarëve “të bashkojnë forcat për të bërë më të mirën”.
Cipras vuri në dukje se “të gjithë duhet të jemi vazhdimisht vigjilentë, të bashkuar dhe të bëjmë përpjekje për të përballuar një situatë shumë të vështirë për Atikën dhe të gjithë vendin”.
Ai falenderoi “të gjithë njerëzit të cilët kanë ndihmuar. Vullnetarët dhe veçanërisht zjarrfikësit kanë shpëtuar shumë jetë me vetësakrificën e tyre”.
Cipras ndërpreu një vizitë në Bosnjë-Hercegovinë ku do të merrte një çmim për kontributin për paqen në Ballkan.