Pas përfundimit të turit të llogaridhënies me qytetarët ku stacioni i fundit i Kryeministrit ishte Korça, ditën e sotme Edi Rama mblodhi në ambientet e kryeministrisë koordinatorët për bashkëqeverisjen. Njëra nga zonjat mori fjalën dhe përveç problemit që kishte me tapinë e shtëpisë, tha se ksihte edhe një vërejtje për kryeministrin. Ajo iu ankua Kryeministrit duke i thënë se administrata e kalon kohën më shumë në lokale se në zyrë.
“Unë kam këtë vërejtje zoti kryeministër, se administrata poshtë duhet të ishte si në sjelljen e këtyre zonjave, që jam shumë e kënaqur. Po të kishim ne këtë sjellje, këtë përkushtim atje në bazë nuk ishte e nevojshme që për certifikatën ne ti bënim pyetje kryeministrit. Atje duhet një qilizmë i thellë se ata më shumë kohën e punës e kalojnë nëpër lokale”, u shpreh ajo.
Me ankesën që zonja i drejtoi Edi Ramës, ra dakord edhe vetë kryeministri.
“Patjetër që jam plotësisht dakort që duhet një qilizmë e thellë dhe qilizmën e thellë duhet ta realizojmë vetëm nëse kemi këtë bashkëpunim me njerëz që vuajnë nga administrata”, u shpreh Rama.