Shqipëria është e njohur dhe jo pak e kërkuar për traditat e saj dhe mënyrën e interpretimit e tejçimit të emocioneve dhe kjo gjë në shumicën e rasteve bëhet nëpërmjet lëvizjeve të trupit, ose e thënë më mirë, nëpërmjet kërcimit.
Këtë gjë kanë bërë në shekuj edhe çamët, fama e të cilëve në kërcim do të merrte dhenë shumë shpejt. Na vijnë disa të dhëna nga studiuesi i njohur çam Aristidh Kola, i cili i ka kushtuar një vëmendje të veçantë edhe vetë valles çame.
Ai thotë se vallja Çame është vallja më përfaqësuese e fisit Arvanit (shqiptarëve të Greqisë). Është një valle që pasqyron shpirtin shqiptar. Si tregon dhe fjala, kjo vjen nga çamët. Nëse analizojmë Vallen Çame do të na japë dhe karakterin e popullit krijues. Guxoj të them që analiza e valleve popullore vështirë të bëhet saktë nga të huajt, por dhe mësimi i saj në raste të tilla do të ishte i gabuar.
Fatkeqësisht vallja e vetme dhe e papërsëritshme çame ka rënë në duar “të paligjshme” dhe prezantohet krejt e panjohshme nga kinemaja, qendrat e ndryshme dhe televizori. Ata njerëz që kanë marrë në duar Vallen Çame, prej disa kohësh tanimë me sa duket qartësisht as arvanitasit nuk janë dhe as idenë s’ia kanë ç’ lloj valleje është Vallja Çame dhe nga cili popull është krijuar.
Kështu na paraqesin një lloj valleje çame, të cilën e shohin arvanitasit e qeshin. E quajnë “shkollore”, sepse mësuesit që dërgoheshin në fshatrat arvanitase pa ditur gjë prej gjëje përpiqeshin t’i mësonin Vallen Çame popullit që e krijoi atë dhe përfundimi ishte disi qesharak.
Ata që merren me vallen kombëtare nuk duhet të punojnë me fantazinë e tyre në mënyrë që të paraqesin vallet, sepse në këtë rast në mënyrë disi paradoksale, fantazia dëmton shumë. Këtu nevojitet njohje dhe studim i përqendruar, fillimisht dhe kryesisht i popullit që krijoi këtë valle, të cilën duhet të paraqesim. Guxoj të them se njohja dhe studimi nuk mjaftojnë, nëse pikëpamjet e tua bien në kundërshtim me atë të popullit të caktuar që studiohet.
Kështu e shohim Vallen Çame që vetëm e tillë nuk duket dhe mirë do të ishte që të interesuarit të marrin kamerat dhe të shkojnë në fshatrat arvanitase, në dasmat dhe festat e tyre, ta flasin dhe ta bisedojnë Vallen Çame në vendet, ku kërcehet. Shumë njerëz kujtojnë se Vallja Çame është vllahe dhe se atje duhet ta kërkojnë. Por, vllehët nuk kanë asnjë lidhje me Vallen Çame, ashtu si nuk kanë me fustanellën. Por, kjo pikëpamje e gabuar krijohet, sepse athinasit dhe aziatikët e vegjël, të gjithë joathinasit i emërtojnë vllehë…
Vallja Çame ka levendëri, krenari, bukuri në lëvizje, të cilat vënë në dukje dhe virtytet e mësipërme. Nuk është valle erotike, por gjithashtu nuk është as luftarake, as e ndjenjës. Vallja Çame është valle triumfale. Dyshoj, nëse mund të ketë një të dytë në botë.
Vallja Çame përmbledh me lëvizje, bukurinë, levendërinë, burrërinë dhe krenarinë e kërcimit të parë, sepse duhet theksuar këtu se Vallen Çame nuk e kërcejnë të gjithë, por vetëm kërcimtari i parë. I dyti “e mban mirë” dhe është me të vërtetë e vështirë të “mbash drejtë” e mirë kërcimtarin e parë e të zotë me figurat e mrekullueshme dhe kërcimet, ndërkohë që të tjerët ndjekin nga pas duke marrë pjesë mendërisht dhe shpirtërisht, duke u krenuar dhe duke i dhënë figurën e plotë asaj që përpiqet të shprehë i pari me lëvizjet dhe figurat e tij.
Sigurisht nuk kemi parë asnjëherë në kinema apo televizor një Valle Çame të kërcyer drejtë, por as Valle Çame që të kërcehet nga grua. Si thamë është valle triumfale dhe zakonisht kërcehet nga burrat, por është me të vërtetë e mrekullueshme të shihni një kërcim të këtillë nga vashë arvanitase të krahinës sime.
Pra, Vallja Çame është një valle triumfale, fitimtare. Kërcehet pas betejës, por dhe përpara apo gjatë armëpushimit dhe na është e njohur në piktura e Ess-it (Peter von Hess 1792-1871), piktor gjerman që paraqet trimat e Kolokotronit të kërcejnë Vallen Çame dhe në plan të parë Plaku i Moresë i menduar po krijon strategjinë e luftës çlirimtare.
Ndoshta është vallja e vetme joerotike, megjithëse dhe elementët erotike kalojnë brenda shfaqjes së levendërisë, bukurisë dhe aftësisë së kërcimtarit të parë.
Ja disa nga vallet më të njohura çame:
Një nga vallet më të njohura është vallja e Minush Agës, agait që vrau të shoqen për një fjalë goje, ja si është historia e tyre. Kjo këngë nxjerr një pah një histori që për kohën e atëhershme ishte diçka shumë e rëndë dhe duke marrë parasysh këtë gjë e kanë kthyer në këngë. Për sa i përket përmbajtjes mund ta themi fare shkurt : Në kafen e një qyteti të vogël të Çamërisë, ishin ulur dhe po pinin tre persona: Minush Agai, Birbili dhe Resuli, kuptohet edhe këta agallarë. Resuli, në pije e sipër, i lavdëron bukurinë e gruas Minush agait, i thotë se e ka parë në krua tek po mbushte ujë. I kishte dhënë shaminë e xhepit dhe ajo ja pastroi, i kishte thënë dy-tri fjalë ajo ja pranoi! Minush aga, që qe i pirë, vajti në shtëpi, mori thikën dhe theri gruan e tij!
Vendi dhe koha e ngjarjes, nuk dihet me siguri, por mund të jetë Parga, Gumenica, e nuk përjashtohet as Delvina, që aso kohe bënte pjesë në vilajetin e Janinës, qytete me shumicë shqiptare e myslimane por edhe pakica shqiptare ortodokse, kjo e fundit duhet mbajtur parasysh ngaqë, në kafenetë e myslimanëve nuk praktikoheshin pijet alkoolike. Sa i takon kohës, duhet të pranohet gjysma e dytë e shekullit të nëntëmbëdhjetë, në kohën e sundimit turk, shpjegime për këtë do të japim më pas kur të trajtojmë personazhet e ngjarjes.
Personazhet; janë nga paria e qytetit, ata thirren agallarë, nga shtresa e kamur, e fisme, me ofiqe dhe prona. Minush agai, burri i gruas së bukur, duhet të ketë qenë i rënë nga vakti, e them këtë se në shtëpitë e agallarëve punët i bënin kopilet, ndërsa gruaja e Minushit, kishte shkuar vetë në krua për të mbushur ujë. Birbili, është bashkëqytetar i tij shqiptar, kjo kuptohet nga emri.
I treti, Rersuli mund të ketë qenë kajmekami turk i vendit. Janë dy arsye që të bëjnë ta mendosh: së pari një shqiptar, për hir të kodit zakonor dhe moralit, nuk do t’ia lejonte vetes atë lloj ngacmimi dhe fyerje, se te shqiptarët kjo fyerje lahej me gjak; së dyti, personi në fjalë, duhet të ndjehej i sigurt, i mbrojtur nga ofiqi dhe pushteti që i jepte ky ofiq dhe që ia lejonte pushtllëqet.
Të tre kanë qenë burra në moshë të pjekur. Zonja e Minushit, e quajmë kështu se emri i saj nuk përmendet, here quhet grua, herë zonjë por edhe nuse, pa tjetër që ka qenë e hijshme dhe e bukur, që tërhiqte vëmendjen e të tjerëve, por e pafajshme dhe e ndershme. Ajo në tekstin e këngës quhet grua, por edhe zonjë. Edhe ajo ka qënë në moshë të pjekur e me bukuri të arrirë, për këtë dëshmon e thëna në këngë se ajo kishte disa fëmijë.
Kënga e Minushit
Zgjo Minushin,zgjo Birbilin,zgjo Resul aga!
Ishin mbledhur dhe po pinin në një kafene.
-Të bukur grua(nuse) që paske, bre Minush aga!
-Ku e njeh, ku e ke parë që ma mollois?
-E paçë një ditë në krua që po mbushte ujë,
I dhashë shamin e dorës,ajo ma pastroi,
I Thashë nja dy-tri fjalë,ajo mi pranoi!
Minush aga qe i pirë,vajti në shtëpi
Mori thikën dhe e theri, o gruan e tij!
Të nesërmen që i del rakia vajti te varri:
Çohu grua, çohu vishu se kemi fëmijë,
Çohu grua dil nga varri se un bëra faj,
Çohu vishu e stolisu,dil në shoqëri,
Të të shohin gjithë bota dhe unë i mjeri!
Dhe një valle e histori po kaq e njohur është edhe ajo e Osman Takës, Kapedanit që shpëtoi nga litari prej kërcimit. Ja cila është historia e këtij kërcimi që më paë quhej “Vallja e burrave Konispolitë”: Historia zhvillohet gjatë kohës së pushtimit të Perandorisë Osmane.
Konispoli në atë kohë ka qenë qendër administrative e cila kontrollohej nga ana ushtarake nga “Karakolli i Qafë Botës” që ndodhej në kufi me Sajdën, ose e thënë më mirë posta kufitare turke, e cila ruante rendin si në Konispol edhe në Filat. Kjo trupë komandohej nga komanda ushtarake turke në Janinë. Trupa e karakollit turk, një oficer dhe 5 ushtarë, falte të “xhumane” (falej në xhami ditën e premte), njëherë në xhaminë e Konispolit dhe herën tjetër në xhaminë e Filatit. Këtu nis rrugë edhe tregimi i mrekullueshëm i Osman Takës.
Një oficer osman i shoqëruar nga pesë ushtarë sapo kishte falë xhumanë (falja e ditës së premte) dhe tek po kthehej ndeshë në rrugë dy femra. Atë të premte gratë ishin të veshura mirë e me fytyrë të mbuluar sipas traditës, këto dy vasha ishin gruaja dhe motra e Osman Takës, të cilat kishin marrë rrugën nga Shehati për në Cucat për një vizitë të parashikuar.
I pari komandanti turk, u zuri rrugën grave dhe u çoj shaminë dhe u pa fytyrën, duke thënë sa të bukura ishin, “ifrret jalem” marshallah. Si të zëna në faj gratë largohen që aty, sakaq mbaruan sebepin në Mullenj dhe u kthyen në shtëpi. Të turpëruara nga ngjarja, se sipas zakonit quhej turp që të shikohej fytyra e femrës nga burra të huaj që nuk janë të familjes së saj, ose nuk është bashkëshorti. Motra menjëherë i thotë Osmanit, që trupa ushtarake turke, që fal të xhumanë, iu kishte zbuluar fytyrën.
Për këtë turp Osmani do të merrte hak. Mblodhi burrat tek Oda e Madhe e Takajve dhe u mor vendimi, që komandanti me gjithë ushtarët, do të ruhet me kujdes dhe kur të kanë radhën për t’u falur në xhaminë e Konispolit dhe do të vriten. U tha dhe u bë, u ruajt radha, trupa u fal në Filat, dhe i erdhi radha për në Konispol. Osman Taka me 4 djem trima konispolatë, i zunë pusinë në udhë të re trupës që vinte nga Karakolli turk.
Komandanti dhe katër ushtarët e tij u vranë, kurse një nga ushtarët u la i gjallë nga Osmani për t’i çuar porosi komandantit në Janinë. Trimi i tha: Po të lë gjallë, t’i tregosh komandantit tënd në Janinë se kush jam unë dhe se nuk ka ushtar e oficer të prekë femrën konispolite, çoji selam nga Osman Taka i Konispolit.
Pasi u morr porosia në Janinë, Osman Taka u shall në kërkim.
Për kapjen e Osmanit, Veliu i Janinës, me ferman nga Porta e Lartë, jepte 5 mijë napolona floriri. Osman Taka u arratis dhe për disa muaj qëndroi nëpër fshatra e vende të ndryshme të Çamërisë, deri sa ra në derën e një miku tradhtar. Nasho Gërxhua ishte një çoban i njohur, i cili kishte tre djem.
Nashua, pasi mirëpriti në konak Osmanin me shokë, u dha mish e raki, i dehu dhe pasi u sigurua se janë në gjumë, u nis për te karakolli osman i Qafëbotës që të spiunonte dhe të fitonte 5 mijë napolonët. Pasi Nasho spiunoi, Osman Taka u arrestua bashkë me trimat e tij. Ai u dënua me varje dhe “ditën e madhe” si amanet të fundit ka kërkuar të kërcejë vallen e burrave Konispolitë dhe ja çfarë tha Veliu i Janinës pasi mbaroi i kërcyeri.
“Çish të shikoje Osmanin një valltar elegant, me pamje të rrallë, burrë që kërcente aq bukur, sa që Hasan Bej, me gruan e tij Xhemile Hanëmin u çuan në këmbë, e cila tha: Po ky është rrap, nuk kam parë burrë si ki, i hijshëm, trim, elegant, nuk kam lënë vend të perandorisë pa shkelur dhe nuk kam parë të tillë div, të tillë artist, ky është lindur për të jetuar, për të argëtuar veten dhe ne!” Xhemile Hanemi ju drejtua, Mexhit beut: “Gjynah të varet ky njeri dhe këta burra. Unë do të ndryshoj fermanin në Portën e Lartë dhe u ngjit në podiumin e varjes dhe kërkoj vallen të luhej përsëri, ku Osmani e kërceu më me krenari dhe me virtuozitet, Vallen e Burrave të Konispolit.
Kështu, një valle që dikur quhej Vallja e Burrave të Konspolit, i shpëtoi jetën një njeriu, emrin e të cilit mban edhe sot Vallja e Osman Takës.
Dhe sigurisht vallja Pogonishte, e njohur në të gjithë vendin. Kërcimi e ka origjinën nga Shqipëria e Jugut. Ritmi është 2/4 dhe kërcehet i hapur dhe në formë cikli, nga njerëz të bashkuar. Stili është krenar. Po ashtu ka dhe kostume popullore për gra dhe meshkuj.
https://youtu.be/uYII8zQ-l9s
- Pjesë të shkëputura nga kujtimet e Petrit Ali Mullës
- Edhe yjet vdesin!,tregime,Tiranë 2011/ Nga Resmi Osmani
Konica.al