“U finalizua operacioni policor i koduar “Basti i Fundit” dhe u arrestua pronari i një pike llotoje për “Prodhim dhe shitje lëndësh narkotike” dhe “Organizim të llotarive të palejuara”, deklaroi sot Ministria e Brendshme.
Në njoftimin e MB-së bëhet e ditur se “specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kavajë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Basti i Fundit”, arrestuan në flagrancë shtetasin Erti Kadiu, 31 vjeç, banues në Kavajë (pronar i një pike llotoje).”
Po ashtu, shpjegohen detajet e hetimit dhe të operacionit për vënien në pranga të shtetasit, Erti Kadiu.
“Shërbimet e Policisë Kavajë, ishin në ndjekje të këtij shtetasi, pasi dispononin informacion se ky shtetas në pikën e tij të llotos ushtronte aktivitet të kundraligjshëm të shpërndarjes së lëndëve narkotike. Gjatë kontrollit të ushtruar ditën e djeshme në pikën e llotos së këtij shtetasi u gjetën doza lënde narkotike të dyshuar e llojit kokainë, peshore elektronike, municion luftarak dhe kompjuterë për ushtrim lojërash fati pa leje”.
Gjatë kontrollit janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale: “4 kompjuterë lojërash fati, 21 doza lënde narkotike e dyshuar kokainë, 45 fishekë model 56, 15 fishekë model “Parabelium”, 9 fishekë model 54, një sasi në lekë dhe dollarë, peshore elektronike, 6 aparate celularë, mjeti tip “Ford”.
“Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë në ngarkim të shtetasit të lartpërmendur për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, thuhet në njoftimin e MB-së./atsh
https://www.facebook.com/punetebrendshme.gov.al/videos/1992270097489806/?t=0