ë qytetin e Pogradecit ka nisur Festivali Ballkanik i Filmit dhe Kulinarisë. Edicioni i tetë sjell për publikun në konkurrim në programe të ndryshme mbi 70 filma shqiptarë dhe të huaj.
Në natën e parë për publikun dhe turistët u shfaq filmi “Skënderbeu” i restauruar, ndërsa programi po vijon me filma artistikë dhe dokumentarë, të producentëve dhe regjisorëve të afirmuar por mes tyre dhe emra të rinj. President nderi i festivalit këtë vit është aktori i njohur Viktor Zhusti.
Por gjatë netëve të festivalit aktorë të njohur të kinemasë shqiptare nuk mungojnë. Aktorë të shquar si Margarita Xhepa, Tinka Kurti, Mirush Kabashi, etj, janë të pranishëm në këtë edicion të festivalit të tetë të filmit dhe kulinarisë në qytetin e Pogradecit.
Festivali ka nisur mbrëmjen e së hënës dhe do të vijojë deri të shtunën në mbrëmje. Filmat shfaqen jo vetëm në sallë, por dhe në sheshin e qytetit. Gjatë ditëve të festivalit është jo vetëm filmi, por edhe gatimet karakteristike për të pranishmit.
Festivali ka si objektiv edhe nxitjen e marrëdhënieve ndërkulturore mes popujve që jetojnë në kufij të përbashkët dhe prezantimin në një shkallë sa më të madhe të mundshme të resurseve turistike të zonës Pogradec-Korçë, duke nxitur edhe aktivitete në fushën e zejtarisë tradicionale dhe kulinarisë krejt të veçantë./atsh