Loading...

Elbasan, masa kundër përmbytjeve, pastrohen 30 km kanale kulluese

Kryetari i grupit Parlamentar Socialist Taulant Balla i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini dhe specialistë të Agjencisë së Shërbimeve Publike inspektuan punën që po bëhet për të shpëtuar Fushën e Elbasanit nga përmbytjet, por edhe nga degradimi cilësor i saj.

Balla tha se për 27 vjet nuk ishte vënë dorë për pastrimin e kanaleve kulluese duke bërë që çdo vjeshtë-dimër këto toka të përmbyteshin dhe dëmet për fermerët të ishin të mëdha.

“Ndoshta duket e paimagjinueshme, por vetëm në fushën që shikoni janë 30 km kanale kulluese, investim i parashikuar me buxhet të Bashkisë së Elbasanit. Pra, vetëm me të ardhurat e veta, Bashkia e Elbasanit investon në 30 km kanalizime, të cilat do ta risjellin këtë tokë përsëri në vlerën e vet, sepse mungesa e kullimit për 27 vite ka bërë që kjo tokë të humbi edhe vlerat e saj.  Kujtoj që këtu ka qenë një prej ndërmarrjeve më të mëdha bujqësore në Elbasan gjatë periudhës së para viteve ‘90”, u shpreh Balla.

Për Kryetarin e Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini e rëndësishme është puna që po bëhet jo vetëm në këtë njësi, por punë e shtrirë në të gjitha njësitë Administrative, duke vënë në dukje se pastrimi i kanaleve vaditëse tashmë ka përfunduar.

“Ne vazhdojmë t’i përgjigjemi bujqësisë me ritëm të lartë. Këtu jemi në Vidhas, ku për herë të parë pas 30 vitesh bëhen 30 km kanal kullues, duke pasur parasysh që kanalet vaditës kanë përfunduar 100%. Ne synojmë që brenda ditëve të para të Shtatorit të ketë mbaruar e gjithë fusha e Vidhasit. Është një punë intensive, një punë e cila nuk do të lihet përgjysëm dhe kështu do të vazhdohet në të gjitha njësitë Administrative të Elbasanit”, tha Sejdini.

Fermerët vlerësuan punën e jashtëzakonshme që është bërë në këtë zonë, duke vënë edhe një herë në dukje se kanalet kulluese nuk ishin funksionale prej 27 vitesh:

Fusha e Vidhasit është një nga tokat më pjellore të Elbasanit, por për shumë vite me radhë ishte lënë pas dore. Fermerët kanë investuar kryesisht në pemëtari, si dardhë dhe pjeshkë dhe shprehen të kënaqur nga prodhimi dhe tregtimi i prodhineve të tyre. /atsh

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com