“Me një plumb në kokë, në pjesën e “lobit temporal”, kështu u gjet trupi i pajetë i Shkëlzen Qordjes, shoferit të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafajt, mëngjesin e ditës së shtunë në garazhin brenda ambienteve të Gardës së Republikës.
Detaji është zyrtar, i shkruar në ekspertizën ligjore të vdekjes së gardistit, që u krye menjëherë pas ngjarjes.
Plumbin, sipas ekspertizës, e ka marrë në pjesën anësore të kokës, më saktë në anën e djathtë, ku edhe iu gjet arma.
Bëhet fjalë për një automatik të llojit MP5. Nga kjo armë, ka dalë plumbi që qëlloi Shkëlzen Qorden brenda në garazh. Policia thotë se dyshohet që ai është vetëvrarë. Në sediljen e mjetit u gjetën 3 gëzhoja, sipas policisë, nga të cilët vetëm njëri ka shkaktuar vdekjen e gardistit.
Një detaj tjetër shumë i rëndësishëm për hetuesit janë pamjet e kamerave të sigurisë brenda ambienteve të Gardës.
Mësohet se filmimet jashtë garazhit ku u gjet shoferi i ministrit, janë pjesë e dosjes.
Qëllimi është të shihet nëse bashkë me Qorden, në garazh, kanë hyrë apo kanë dalë persona të tjerë.
Për detaje të tjera janë marrë në pyetje 10 gardistë që natën e të premtes kanë qenë me shërbim në ambientet e punës.
Ende nuk ka detaje se çfarë kanë deklaruar këta persona, por misteri i ngjarjes dhe presioni politik i ka bërë prokurorët shumë të kujdesshëm në rindërtimin e dinamikes së ngjarjes dhe përfundimet e hetimit, shkruan Tv Klan.