Ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati thotë se angazhimi i SHBA-ve në Ballkan është jetik për të siguruar që mos të ketë asnjë pengesë në përpjekjet e Greqisë dhe ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë (FYROM) për të normalizuar marrëdhëniet mes tyre, të cilat në vijim do t’i hapin rrugën kësaj të fundit për t’iu bashkuar NATO-s.
“Tani që të dyja vendet [Greqia dhe Maqedonia] po bëjnë hapin e fundit [drejt normalizimit], vëmendja e Shteteve të Bashkuara në këtë çështje është tepër i rëndësishëm. Veçanërisht duke pasur parasysh faktin se ka edhe aktorë të tretë që nuk e mbështesin marrëveshjen e arritur midis Athinës dhe Shkupit,” tha Bushati në një intervistë me Zëvendëspresidentin Ekzekutiv të Këshillit Atlantik, Damon Wilson.
Më 12 qershor, kryeministri maqedonas Zoran Zaev dhe kryeministri grek Alexis Tsipras ranë dakord mbi një marrëveshje për t’i dhënë fund mosmarrëveshjes 27 vjeçare të emrit. Sipas marrëveshjes, Maqedonia do të quhet SevernaMakedonija (“Republika e Maqedonisë Veriore”). Maqedonia do të mbajë një referendum mbi marrëveshjen në vjeshtë. Marrëveshja hap rrugën që Maqedonia të bashkohet me Bashkimin Evropian (BE) dhe NATO-n. Më 11 korrik, Maqedonia u ftua t’i bashkohet NATO-s, në pritje të miratimit përfundimtar të marrëveshjes.
Marrëveshja ka krijuar tension midis Rusisë dhe Greqisë. Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov thuhet se anuloi një udhëtim në Athinë më herët në korrik, pasi Greqia dëboi dy diplomatë rusë për dyshimin se po përpiqej të rriste kundërshtimin për marrëveshjen për emrin.
Në Uashington, Bushati mori pjesë në Ministerialin e parë të Departamentit amerikan të Shtetit për “Lirinë Fetare”.
Vizita e tij vjen në një kohë të rëndësishme për Shqipërinë, pasi vendi duket se do të fillojë negociatat zyrtare me BE-në për anëtarësimin e mundshëm dhe synon të përmirësojë marrëdhëniet me fqinjët e saj në Ballkan.
Në intervistën e tij me Wilson, Bushati diskutoi për rrugëtimin e Shqipërisë për anëtarësimin në BE, gjendjen aktuale të marrëdhënieve me fqinjët dhe rolin që Shtetet e Bashkuara mund të luajnë në rajon në tërësi.
Më poshtë pjesë nga intervista:
Wilson: Ministri Bushati, ju jeni këtu në Uashington për të marrë pjesë në samitin e Departamentit amerikan të Shtetit për Lirinë Fetare. Na tregoni pak për mënyrën se si shkoi kjo dhe pse kjo është e rëndësishme për vendin tuaj.
Bushati: Ishte një rast i mirë për t’u takuar me kolegët dhe ndarë punën që po bëjnë vendet e ndryshme për të siguruar harmoninë fetare, si dhe sfidat me të cilat po përballen vendet e ndryshme në lidhje me ekstremizmin, radikalizimin dhe fenomenet e tjera të dhunshme. Ky ishte ministriali i parë mekëtë temë, i cili mblodhi së bashku më shumë se tetëdhjetë vende. Kjo është një platformë e mirë.
Wilson: Ju përmendët sfidat e radikalizimit. Kjo ka qenë një shqetësim në të gjithë Evropën, posaçërisht për çështjen e luftëtarëve që lëvizin dhe kthehen nga lufta në Siri. Cila ka qenë përvoja e Shqipërisë?
Bushati: Në Shqipëri, kemi qenë shumë të fokusuar tek arsimi. Ne kemi parë në të kaluarën se sidomos në zonat rurale, gjithmonë ka terren pjellor që forcat ekstremiste të zënë vend. Ne jemi një shoqëri me shumë bashkësi fetare, me pesë fe. Po punojmë shumë me agjencitë e OKB-së për të futur kurrikula mësimore të reja për fetë e ndryshme në sistemin tonë arsimor dhe po punojnë ngushtë me udhëheqësit fetarë dhe të komuniteteve. Së dyti, kjo është një pyetje që ka të bëjë me strukturën ligjore dhe institucionale. Ne kemi forcuar masat ligjore dhe institucionale në luftën kundër radikalizmit, veçanërisht për luftëtarët e mundshëm të huaj. Në dy apo tre vitet e fundit, Shqipëria nuk ka pasur asnjë problem me luftëtarët që shkojnë apo kthehen nga Siria. Nga ana tjetër, afërsia jonë në Ballkan me Mesdheun dhe Lindjen e Mesme gjithmonë do të paraqesë probleme. Por ne jemi një shoqëri me shumë bashkësi fetare, siç e përmenda. Dhe në këtë drejtim futja e kurrikulave mësimore të reja do të vazhdojë të ushqejë dialog konstruktiv ndër-fetar në shoqërinë tonë.
Wilson: Ju jeni një shoqëri me shumë bashkësi fetare por jeni gjithashtu një vend me shumicë myslimane. A po ndikon kjo në rrugën tuaj drejt Bashkimit Evropian?
Bushati: Ne jemi një shoqëri laike. Jemi evropiane, dhe në këtë drejtim ka një vendosmëri të fortë si në spektrin politik dhe atë shoqëror për t’u bashkuar me BE-në. Ky është objektivi i dytë më i lartë kombëtar pas bashkimit dhe mbështetjes së NATO-s. Procesi i reformave po shkon shumë mirë. Sigurisht, ka edhe disa stereotipe negative [në Evropë] që përpiqen të na lidhin me islamin por që janë të pabaza pasi mënyra se si zhvillohet jeta publike [në Shqipëri] është në një mënyrë evropiane.
Wilson: Mendoj se është e rëndësishme të shohim se Shqipëria është e mirëpritur në Evropë. Ju jeni evropian. Sigurisht që brenda BE-së ka pasur një debat në mënyra të ndryshme rrethçështjes së anëtarësimit të një vendi me shumicë myslimane, si për shembull Turqia. Por, deri më tani nuk ka qenë problem për Shqipërinë. Mendoj se shembulli që krijoni ju do të jetë i rëndësishëm.
Bushati: Kjo nuk duhet të jetë një sfidë për Shqipërinë, sepse përndryshe do të krijonte një precedent negativ, jo vetëm për zhvillimet në rajon por edhe për projektin evropian në tërësi. Tani ka më shumë myslimanë në Gjermani ose në Francë sesa në Shqipëri.
Wilson: Ju sapo keni mirëpritur Komisionerin për Zgjerim Johannes Hahn në Shqipëri më 17 korrik. Cilët mendoni se janë hapat e ardhshëm dhe piketat e mëdha në rrugën tuaj drejt BE-së?
Bushati: Procesi i shqyrtimit të paketës ligjore dhe institucionale është nisur zyrtarisht disa ditë më parë. Në shtator, ekspertët nga Komisioni Evropian dhe qeveria shqiptare do të ulen dhe do të arrijnë të kuptojnë më mirë mbi përparimin e Shqipërisë në përmbushjen e kapitujve përkatës të acquiscommunautaire [paketa e ligjeve të BE-së]. Në të njëjtën kohë,ky proces do të na japë mundësinë për të pasur një vlerësim të matur në lidhje me nivelin e përputhshmërisë së legjislacionit dhe institucioneve tona me ato të BE-së. Kjo është ajo që do të ndodhë në një nivel teknik. BE ka vendosur një afat kohor, në rastin e Shqipërisë dhe Maqedonisë, kështu që në qershorin e ardhshëm shpresojmë se do të fillojmë negociatat zyrtare të anëtarësimit. Ne besojmë se ky proces i shqyrtimit do të na ndihmojë. Së pari, do të kursejë kohë dhe së dyti do të na ndihmojë të jemi më të përgatitur për procesin e negociatave të anëtarësimit. Nuk ka asgjë që mund të negociojmë drejtpërsëdrejti me BE-në, është më shumë një proces përshtatshmërie. Ne do ta përdorim këtë periudhë kohore në një mënyrë shumë efikase, me ndihmën e Komisionit Evropian.
Wilson: Duket sikur ka shumë këmbëngulje në nxjerrjen e disa prej çështjeve të vështira që vendit tuaj i është dashur të ballafaqohet, të tilla si sundimi i ligjit dhe çështjet e drejtësisë. Si po ecën?
Bushati: Gjërat po përparojnë mirë, veçanërisht me procesin të ri të vlerësimit të gjyqësorit. Të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët [e Shqipërisë] në nivele të ndryshme po kalojnë nëpër një proces verifikimi. Ky proces i ri po vendos gjithashtu një shembull për vendet e tjera në rajon, veçanërisht pasi BE po fillon një procedim disiplinor kundër shteteve anëtare për shkeljet në sundimin e ligjit dhe të standardeve të të drejtave të njeriut. Po ashtu krijon një precedent për vendet që ashtu si ne janë në rrugën e anëtarësimit. Është një reformë e madhe dhe po shkakton një situatë të vështirë, sepse [largimi] i gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk kalojnë testin e verifikimit [është] duke krijuar një vakum në ato institucione. Në këtë drejtim, duhet të përqendrohemi në forcimin e burimeve njerëzore kur bëhet fjalë për nivelet më të larta të gjyqësorit dhe prokurorisë. Ne besojmë se këto reforma do të kenë një efekt domino edhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Wilson: Le të kthehemi në rajon. Evropa Juglindore ka shënuar përparim të konsiderueshëm, siç tregohet edhe nga anëtarësimi juaj në NATO dhe anëtarësimi i mundshëm në Bashkimin Evropian. Cilat janë sfidat e mbetura?
Bushati: Së pari, është e rëndësishme të sigurohet se ka angazhim të SHBA-ve në rajon. Shtetet e Bashkuara janë të rëndësishme për garantimin e sigurisë në Evropën Juglindore. Së dyti, është gjithashtu e rëndësishme të sigurohet një ndarje e punës midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian kur është fjala për transformimin e rajonit tonë.
Wilson: Pse angazhimi i qëndrueshëm amerikan është i rëndësishëm për rajonin?
Bushati: Është shumë i rëndësishëm për shkak të vendndodhjes gjeografike të Evropës Juglindore në mes të Lindjes së Mesme nga njëra anë dhe BE-së nga ana tjetër. Angazhimet e Shteteve të Bashkuara kanë rezultuar të suksesshme në rajonin tonë në ndalimin e gjakderdhjes dhe të luftës në Jugosllavi dhe për të përfunduar disa nga projektet më të rëndësishme për sigurinë e rajonit tonë, duke përfshirë zgjerimin e NATO-s me anëtarësimin e Kroacisë, Shqipërisë, Malit të Zi dhe me shpresë së shpejti edhe të Shkupit [kryeqyteti i ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë]. Ai gjithashtu ka inkurajuar procesin e dialogut midis Serbisë dhe Kosovës. Ne e dimë shumë mirë se procesi Serbi – Kosovë po zhvillohet nga Bashkimi Evropian, por pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara rezultatet e pritura nuk mund të arrihen. Ne kemi parë se roli i Shteteve të Bashkuara, në rastin e Shkupit, ka qenë tradicionalisht shumë pozitiv. Tani që të dyja vendet [Greqia dhe Maqedonia] po bëjnë hapin e fundit [drejt normalizimit], përqendrimi i Shteteve të Bashkuara në këtë çështje është tepër i rëndësishëm. Veçanërisht duke pasur parasysh faktin se ka edhe aktorë të tretë që nuk e mbështesin marrëveshjen e arritur midis Athinës dhe Shkupit. Kemi parë disa zhvillime pozitive në rajon gjatë muajve të fundit. Si fillim me [Traktatin e Fqinjësisë së Mirë] midis Shkupit dhe Bullgarisë, marrëveshjen e emrit midis Athinës dhe Shkupit dhe më pas afrimi dhe hapat thelbësore që [Shqipëria] ndërmori së bashku me Athinën.
Wilson: Çfarë e motivuan këtë? Pse nevojitet të ketë një afrim?
Bushati: Nuk mendoj se ne e transformuam veten nga djaj në engjëj brenda natës. Por kjo është një përpjekje për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, objektiv i cili po nxit këto zhvillime pozitive në rajon. Ne kemi nevojë për një BE të bashkuar në mbështetje të kombeve të Ballkanit dhe anëtarësimin e tyre në Bashkimin Evropian, gjë që fatkeqësisht nuk ka qenë gjithmonë kështu, si në rastin e Shqipërisë dhe Maqedonisë.
Wilson: A shihni ndonjë progres përpara duke mirëpritur Maqedoninë si anëtaren e tridhjetë të NATO-s?
Bushati: Ka disa pengesa politike që duhet të adresohen. E para është çështja e referendumit [mbi marrëveshjen e emrit të FYROM-it me Greqinë]. Ne shpresojmë që qytetarët [në FYROM] të votojnë në favor të procesit të paqes që sapo ka filluar, gjë që do të lejojë anëtarët e parlamentit të bëjnë rregullimet e nevojshme kushtetuese. Gjithashtu, Greqia duhet ta kalojë marrëveshjen në parlamentin e tyre. Ne shpresojmë që procesi i ratifikimit të përfundojë shpejt, sepse kjo mund të transformojë Ballkanin Perëndimor në një mënyrë pozitive. Duhet të fillojmë të transformojmë hapësirën e re të sigurisë në rajon në një hapësirë zhvillimi. Kjo është arsyeja pse ne kemi gjithashtu nevojë për praninë e Bashkimit Evropian me më shumë projekte që nxisin ndërlidhjen brenda rajonit tonë, si dhe ndërlidhjen tonë me Bashkimin Evropian në tërësi. Nevojitet që të zbatojmë projekte të reja me rëndësi strategjike, si gazsjellësi Trans-Adriatik dhe gazsjellës të tjerë, për të cilat ne besojmë se kemi nevojë edhe për praninë amerikane. Pastaj ekzistojnë edhe dy pyetjet më të vështira në rajon, në lidhje me dialogun midis Serbisë dhe Kosovës dhe zgjedhjeve të ardhshme në Bosnje-Herzegovinë.
Wilson: Çfarë përparimi mund të bëhet midis Serbisë dhe Kosovës?
Bushati: Së pari, duhet të shohim disa rezultate politike nga procesi i paqes. Tani për tani, fokusi kryesor ka qenë në çështjet teknike në lidhje me lejet e drejtimit dhe lëvizjen e qytetarëve në zonat kufitare. Ka ardhur koha për Serbinë dhe Kosovën që të bëjnë lëshime më të dhimbshme dhe me shpresë të arrijnë një marrëveshje reciprokisht të dobishme, e cila gjithashtu mund të jetë ligjërisht e detyrueshme. Është shumë e qartë se për Serbinë nuk ka pranim në BE pa njohjen e Kosovës. Për Kosovën, nuk ka rrugë drejt BE-së apo NATO-s pa adresuar çështjet që kanë të bëjnë me Serbinë apo pakicën serbe në Kosovë.
Wilson: Cili ka qenë reagimi juaj ndaj mundësisë për shkëmbime territoriale midis dy njerëzve?
Bushati: Mendoj se kjo do të shkonte kundër frymës së të gjitha përpjekjeve të bëra në Ballkan gjatë tre dekadave të fundit. Do të shkonte kundër frymës së Aktit Final të Helsinkit dhe dokumenteve të tjera ndërkombëtare me vlerë ligjore. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm që të mos hapim kutinë e Pandorës për raste të tjera në rajon. Shtetet e Bashkuara, BE dhe NATO kanë investuar shumë në promovimin e multietnicitetit të Ballkanit, për të siguruar që shoqëritë të mbeten të hapura. Unë e di shumë mirë se është një sfidë e vështirë për të ndërtuar shoqëri dhe institucione që i shërbejnë këtij qëllimi, por ne duhet të vazhdojmë në këtë rrugë.
Wilson: Ne shohim ato vështirësi që dalin në pah më qartë në Bosnje-Herzegovinë.
Bushati: Është e rëndësishme të shohim se si shkojnë votimet në zgjedhjet e përgjithshme të tetorit 2018 në Bosnje. Dhe sigurisht është gjithashtu e rëndësishme të sigurohet që perspektiva e anëtarësimit në NATO dhe BE për Bosnjën është e vërtetë. Ne themi se Marrëveshja e Dayton-it shpëtoi Bosnjën, por tani duket se nuk ofron një platformë të vërtetë për t’i lejuar Bosnjës të bëjë disa hapa të domosdoshëm për të arritur anëtarësimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian.
Damon M. Wilson është Zëvendëspresidenti i Këshillit Atlantik.