Birbil Sinani
1882 -1920
U lind më 1882 në Radhimë, në Berdodhimaj.
Qysh i vogël tek Birbili dolën në pah veti të tilla si
guximi, shkathtësia, etj. të cilat ndikuan në formimin
e tij si luftëtar trim e i guximshëm.
Ai u rrit dhe u
edukua në një familje, që kurrë nuk e pranoi
shtypjen e pushtuesit turk. Ende pa vënë brisk në
faqe, shkon nizam në Manastir dhe Selanik, duke u
kthyer në vendlindje pas 4-5 vjetësh, më 1904.
Vetë kryerja e shërbimit ushtarak në reparte turke
dhe kontakti me patriotë shqiptarë në këto qytete,
bënë atë që direkt pas kthimit në atdhe, Birbili të
aktivizohet me lëvizjen kombëtare për shpalljen e pavarësisë, bile edhe si
komit (siç quheshin atëhere) në çeta të ndryshme.
Më 1908 është pjesëtar i
çetës së Beqir Velos nga Kanina, në përbërje të së cilës merr pjesë në
takimin me Çerçiz Topullin po në këtë periudhë në Mavrovë. Deri në
shpalljen e pavarësisë Birbili u ndodh kudo ku pati tubime, mbledhje e
përpjekie luftarake. Pjesëmarrja aktive me armë në dorë në mbrojtje të
Janinës dhe Llogorasë nga pushtimet greke, bënë atë që Birbili të zgjidhet
njëzëri komandant i çetës së Radhimës në Luftën e 20-tës. Pas marrjes së
vendimeve në Beun, ku ishte edhe Birbili anëtar komisioni e pas përcjelljes
nga gjithë fshati, më 05 Qershor çeta e Radhimës nën komandën e tij mori
rrugën drejt malit të Tragjasit, ku do të bashkohej me çetat e tjera të
krahinës.
Po atë natë ata sulmuan garnizonin italian në fshatin Gjorm. Pasi
armiku po thyhej, Birbili nga të parët u hodh me gunën përmbi tela për t’u
përleshur me tá. Por një plumb armik jetën në mes i pret. Pasi pushtuesit u
shpartalluan në Gjorm, pushoi së rrahuri zemra e komandant Birbilit, duke
dhënë urdhërin e fundit:
– ‘Përpara për në Vlorë!…’
Eshtrat e tij sot prehen në vorrezat e dëshmorëve Vlorë.