Loading...

Basha: Shqiptarët i meritojnë negociatat, qeveria i pengon

“Shqipëria ka një krizë të trefishtë”, – u shpreh sot Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një bashkëbisedim me gazetarët.

“Shqipëria ka një krizë ekonomike. Nuk ka asnjë investim të huaj prej 5 vitesh. Dy investimet e huaja të mëdha po mbarojnë si TAP-i, edhe Kaskada e Devollit. Siç e ka thënë FMN, me mbarimin e tyre mijëra vende pune do të humbasin. Së dyti, kemi një politikë të kapur nga krimi. Kaluam nga një ministër të Brendshëm që bënte trafik droge me kushërinjtë e tij, në një ministër të Brendshëm që mbron vëllain që merret me trafik droge. Së treti, kemi një reformë në drejtësi, e cila është tërësisht e kapur nga kjo qeveri që në vetvete është e kapur nga krimi. Pra kemi një krizë të trefishtë, krizë ekonomike, kushtetuese dhe morale”, – tha Basha.

Duke folur për negociatat me Bashkimin Europian Basha tha se, “vendimi i 28 qershorit për ta shtyrë me një vit shqyrtimin e vendimit nëse do i hapen apo jo negociatat Shqipërisë, është një tjetër leksion për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe në veçanti për Edi Ramën, që në Europë nuk hyhet me gënjeshtra. Në Europë hyhet vetëm me të vërteta. E vërteta është që Shqipërisë nuk iu hapën negociatat këtë vit edhe pse kishte një mbështetje pa kushte nga Komisioni Europian. Kjo është e vërteta”.

Basha theksoi se, “Shqipërisë nuk iu hapën, sepse shtetet e mëdha anëtare Gjermania dhe Franca ngritën shqetësimin se Shqipëria nuk ka treguar rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe në veçanti kundër trafikut të drogës. Ky është një mesazh për qeverinë, jo për popullin. E dinë europianët që 97% e shqiptarëve e duan integrimin në Europë. Ky nuk është një mesazh ndaj shqiptarëve. Shqiptarët i meritojnë negociatat, qeveria i pengon negociatat”.

Basha foli edhe për amendimin e ligjit të Magjistraturës që kërkon edhe votat e opozitës për të kaluar në Kuvend. Basha u shpreh se ky amendim i ligjit nuk e zgjidh problemin e reformës në drejtësi.

“Në fillim na thanë kaloni ligjin për Vetingun se do futeni në Europë. Ju thamë që kjo nuk është e vërtetë. Nuk është çështje e kalimit të një ligji. Është çështja e zbatimit të reformave në tërësi dhe në veçanti të reformës në drejtësi. Tani na thonë kaloni ligjin e Magjistraturës. Çfarë është ligji i Magjistraturës? Është të futësh një kuotë studentësh, të cilët pas 3 vitesh do të mbarojnë shkollën. Reforma siç e parashikuan këta me ligjet që kaluan në mënyrë të njëanshme, thotë që kjo është detyrë e KLGJ-së dhe KLP-së. Por nuk ka KLGJ dhe KLP. Procesi zvarritet. Vetingu ecën me ritme shumë të ngadalta”, – tha Basha.

“Ta zëmë se e pranuam amendamentin për të kaluar këtë problem që ka shkaktuar vetë qeveria. E zgjidh kjo problemin e Gjykatës Kushtetuese jofunksionale? A e zgjidh kjo faktin që kemi një Prokuror të Përgjithshëm të zgjedhur në mënyrë partizane, në kundërshtim me Kushtetutën? A e zgjidh kjo faktin që s’kemi KLGJ dhe KLP dhe nuk e dimë se kur do t’i kemi? A e zgjidh kjo faktin që nuk kemi SPAK dhe BKH? Përgjigja për të gjitha këto është jo. Pra duke rendur pas diçkaje sipërfaqësore dhe duke injoruar reformën në drejtësi për shkak të ligjeve të bëra në mënyrë të njëanshme, jo vetëm nuk e zgjidhim problemin, por e thellojmë atë. Ligji për Magjistraturën nuk zgjidh asnjë nga këto çështje”, – u shpreh Basha.

“Kjo do të thotë që dyert e Europës për Shqipërinë edhe pas një viti do të mbeten të mbyllura”, – shtoi Basha.

I pyetur për një bashkëqeverisje me Edi Ramën, Basha tha se, “Partia Demokratike nuk do të bëhet kurrë pjesë e së keqes. Nuk do të bëjmë pakt me qeverinë e lidhur me krimin”.

Basha tha se, PD do t’i ofrojë qytetarëve alternativën e saj për një të ardhme të sigurt.

Sipas tij, opsioni është udhëheqja pa një qeveri të lidhur me krimin. /atsh

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com