Zëvendëskryeministrja e Republikës së Shqipërisë, Senida Mesi do të jetë e pranishme në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) ku do të marrë pjesë në Forumin e Lartë Politik të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) në prezantimin e Raportit Vullnetar Kombëtar për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, si dhe do të zhvillojë takime zyrtare me përfaqësues të lartë të OKB dhe aktivitete të tjera.
Shqipëria prezanton për herë të parë, nëpërmjet Zëvendëskryeministres Mesi, Raportin Vullnetar Kombëtar për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDGs), raport i cili konsiston në rrugëtimin e vendit tonë në drejtim të arritjes së këtyre objektivave universale të OKB, e njohur ndryshe si “Axhenda 2030” ose “Objektivat Globale”, një thirrje universale e përqafuar nga Shqipëria para 3 vitesh, e cila ka për qëllim kryesor ndërmarrjen e veprimeve konkrete nga çdo shtet në çrrënjosjen e varfërisë, mbrojtjen e planetit dhe garantimin që çdo popull të gëzojë paqe dhe prosperitet. Axhenda e Zëvendëskryeministres Mesi në New York do të jetë e ngarkuar me disa takime zyrtare me përfaqësues të lartë të OKB-së si: Zv.Sekretarja e Përgjithshme e OKB Amina Mohammed; Nënsekretarja e Përgjithshme për Çështjet Politike në OKB Rosemary Di Carlo; Administratori i UNDP Achim Steiner etj. Gjatë qëndrimit në SHBA, Mesi do të zhvillojë gjithashtu takim dhe aktivitet me përfaqësues të diasporës shqiptare. /atsh