Një atentat i trefishtë ndodhi natën e 27 qershorit në Kinostudio, në Tiranë.
Banorët e zonës u tronditën, kur dëgjuan më shumë se 8 të shtëna, nga ku mbetën të plagosur dy vëllezër Juxhin Mumajesi 24 vjeç, Rivelino Mumajesi 36 vjeç dhe Ibrahim Durollari 28 vjeç.
Ndërsa policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të sulmit, ngjarja mbetet ende pa autor.
Nëna e dy vëllezërve Mumajesi, thotë se gjendja shëndetësore e të rinjve është përmirësuar dhe se Juxhini prej vitesh ka jetuar në Francë dhe kishte vetëm një javë që kishte ardhur në Shqipëri.
Gjyzepina Mumajesi shprehet për Gazeta Shqiptare:
Djali im Juxhini ka 10 vite që jeton në Francë. Rreth moshës 15 vjeçare është larguar nga Shqipëria dhe është me dokumente franceze. Në Shqipëri u kthye një javë përpara se të ndodhte ngjarja në Kinostudio. Djali nuk ka asnjë precedent penal, ai prej vitesh nuk jeton në Shqipëri dhe nuk ka qenë i përfshirë në asnjë ngjarje në këtë vend.
Lidhur me ndryshimin e mbiemrit, e ëma thotë:
Largimi i tij nga vendi dhe marrja e nënshtetësisë franceze është shkaku i ndryshimit të mbiemrit në Hamajezi. Ai nuk e ndërron dot mbiemrin në Mumajesi siç është në rrënjën e familjes pasi është me dokumente franceze. Vetëm Juxhini e ka ndryshuar mbiemrin për këtë arsye”
E pyetur mbi shkakun e sulmit zonja Gjyzepina shton:
Nuk di asgjë për këtë pjesë. Nuk kam asnjë informacion për shkakun e sulmit. Juxhini jeton prej vitesh në Francë.”