Muajt e ardhshëm janë vendimtarë për procesin e integrimit europian të Shqipërisë, deklaroi mbrëmjen e sotme ambasadorja e Francës në Tiranë Christina Vasak.
Në ceremoninë e organizuar me rastin e ditës kombëtare të Francës mbajtur në ambientet e Pallatit të Brigadave, merrnin pjesë zyrtarë të lartë, ambasadorë të akredituar në vendin tonë, përfaqësues të biznesit, artit dhe kulturës shqiptare si dhe drejtues të medias.
Vasak u shpreh se puna sapo ka filluar dhe muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë për negociatat e Shqipërisë me BE.
Duke cituar shkrimtarin e njohur Ismail Kadare, diplomatja franceze nënvizoi se populli shqiptar ka luftuar me te gjithë forcën për të shmangur ndarjen nga Europa.
“Shteti më i ri në rajon, Shqipëria, nëse më lejohet të guxoj të citojë Ismail Kadarenë, është gjithashtu shteti më i hapur drejt ndërtimit europian, sepse siç dëshmon historia, populli i tij ka luftuar me të gjithë forcën e tij, fizike dhe intelektuale, për të shmangur ndarjen nga kontinenti i tij natyror, Europa. Puna sapo ka filluar dhe muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë, përndryshe takimi që është lënë në qershorin e ardhshëm do të humbet, ose më keq akoma do të prishet”, theksoi Vasak.
Sipas saj,” barra i bie klasës politike, shumicës dhe opozitës dhe ka të bëjë me të gjithë. Çdo qytetar, i njohur apo i panjohur, i pasur apo i varfër, i rritur apo fëmijë, e meriton atë.”
Në fjalën e saj, ambasadorja konfirmoi edhe vizitën e Presidentit Macron në Shqipëri. /atsh