– Prezantohet projekti “Alpet Shqiptare Traditë dhe mite”
- Duket e pazakontë që në mes të sezonit veror, të plazhit e të detit, të flasësh për Alpet. Por është fuqia e kësaj zone, që jo më kot nuk e kanë thënë mediat ndërkombëtare, të gjitha rrugët në çojnë Alpe.
Dhe pavarësisht se është sezon plazhi, nuk mungojë turistët e huaj në rajonin e alpeve. Sepse nuk mund të kuptosh Shqipërinë turistike pa Zonën e Alpeve.
Kështu u theksua sot në prezantimin e projektit zhvillimor “Alpet Shqiptare – Traditë dhe mite”, në Tiranë, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi.
“Alpet janë një nga asetet më unikale që ka rajoni. Është e vështirë që në rajonin tonë të gjesh një aset të tillë siç janë alpet shqiptare, të cilat nuk ekzistojnë në Greqi, Maqedoni, Kosovë, Mal të Zi, Kroaci, Kosovë. Pra, mund të jenë një nga atraksionet më të veçanta, që ne mund t’i ofrojmë turizmit rajonal”, tha në fjalën e tij Klosi.
Sipas tij, nga sondazhet e bëra nga gjithë institucionet për turizmin në Shqipëri del që 99% e turisteve duan të rikthehen në vendin tonë për të vizituar alpet dhe 100% e tyre e sugjerojnë te miqtë për ta vizituar.
Ministri Klosi u shpreh se “këtë magji që kanë alpet shqiptare ne do duam sa më shumë ta promovojmë dhe me materiale të thjeshta si ky i sotmi, por të goditura ne duhet ta promovojmë turizmin, këtë pasuri shqiptare”.
Ne, vijoi ai, do të donim shumë që të mos kishim ndërhyrjen e dorës së njeriut, që ato t’i masakrojë me ndërhyrje për t’i shfrytëzuar në mënyrë të pastrukturuar.
“Për këtë ne kemi përcaktuar zona të qarta se ku do të bëhet investimi dhe të shohim se ku kemi nevojë të zhvillojmë turizmin në zonën e alpeve dhe ne kemi për detyrë që të shtohen shtretërit, Guest house dhe hotelet tona tradicionale”, nënvizoi Klosi.
Duke folur për projektin “Smile Albania”, Klosi tha se “të rinjtë e këtij projekti janë në të gjitha pikat turistike të vendit, në porte, aeroporte pika kufitare. Duhet të kemi materiale shtesë që t’ia shpërndajmë çdo turisti”.
“Mendoj që turizmi duhet të jetë një astet që duhet ta promovojmë sa më shumë që në radhë të pare nga turizmi i brendshëm ,shqiptarët duhet të njohin nga afër këtë bukuri të jashtëzakonshme”, tha Klosi.
Me projektin e ri Alpet shqiptare hyjnë tani në një cikël të ri të zhvillimit të turizmit me një qasje tjetër territoriale më të ekuilibruar, me qëllim ruajtjen e mjedisit, një ekonomi lokale të integruar me industrinë e turizmit./atsh