Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj mblodhi sot Komitetin për Lehtësimin e Tregtisë, i cili u ngrit vetëm para pak kohësh në funksion të ndryshimeve të kryera në marrëveshjen e njohur si marrëveshja e Marakeshit (themeluar nga OBT) për rritjen e tregtisë globale, duke përshpejtuar lëvizjen dhe zhdoganimin e shpejtë të mallrave duke përfshirë edhe tranzitimin e mallrave.
Komiteti i lehtësimit të tregtisë do të jetë forumi ku do të shqyrtohen e koordinohen një sërë aktivitetesh që kanë si qëllim rritjen e transparencës së informacionit e kontrollit në pikat kalimit kufitar, përmirësimin e partneritetit me sipërmarrjen, koordinimin e bashkëpunimit mes agjencive kombëtare, masa këto që në gjykimin e kreut të financave publike lidhen drejtpërsëdrejti me lehtësimin e transportit të mallrave e njerëzve mes vendeve.
Ministri Ahmetaj veçoi si të rëndësishme në fjalën e tij, progresin në drejtim të zhvillimit të konkurrueshmërisë së ekonomisë kombëtare.
“Iniciativat që lidhen me konkurrueshmërinë duhet të përforcohen. Duhet të përforcohen njohuritë mbi avantazhet, si brenda grupeve të synuara, ashtu edhe me publikun e gjerë. Qasja kombëtare duhet të shoqërohet edhe me qasjen sektoriale rajonale me qëllim përshtatjen e faktorëve që ndikojnë në investime, që shpesh mund të arrijnë, sipas sektorëve edhe në nivel rajonal”, theksoi ai.
Kreu i Financave publike vuri në dukje se ekonomitë e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor janë të angazhuara për të krijuar një zonë ekonomike rajonale drejt më shumë mundësive, drejt tkurrjes së kostove të tregtisë dhe minimizimit të pengesave jo tarifore për lehtësimin e tregtisë së mallrave, harmonizimin e tregjeve të CEFTA-s (Marrëveshja e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore) me Bashkimin Europian dhe krijimin e mekanizmit për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tregtare.
Sipas tij, hapat integrues rajonal janë shoqëruar me rezultate të rëndësishme në drejtim të liberalizimit tregtar, duke filluar me heqjen e pengesave tarifore për produktet industriale e më pas dhe ato bujqësore.
“Qeveria shqiptare është në dialog me komunitetin e donatorëve në Shqipëri për të lexuar një analizë të thelluar të çështjeve të identifikuara si barriera të aksesit në treg. Madje shumë shpejt do të kemi edhe një projekt të dedikuar për lehtësimin e tregtisë dhe krijimin e zonës të integruar ekonomike të rajonit që po realizohet me Bankën Botërore”, tha Ahmetaj.
Ndërkohë, në identifikim të barrierave që vijojnë të pengojnë aksesin në treg në konsultim me përfaqësues të sektorit privat.
Ministri informoi se po thellohemi për dy sektorë që kanë impaktin më të madh në ekonomi, atë të perimeve dhe të metaleve.
“Kërkohet bashkërendim dhe efektivitet institucional edhe me sektorin privat nëpërmjet forumit rajonal të dhomave të tregtisë së 6 vendeve, duke kapërcyer atë dobësi strukturore që paraqet struktura ekonomike në rajon”, shtoi Ahmetaj./atsh