Mafia e drogës, e abuzimit me pronat e patundshme dhe e të gjitha maskarallëqeve tjera në Shqipëri është vënë në alarm pas thellimit të hetimeve për dosjet e rënda të cilat presin të shkojnë në gjykatë dhe të ‘përkthehen’ në vite burgu për abuzuesit.
Dosja e 613 kg kokainë të kapura në Maminas, si dhe 3.4 milionë euro të sekuestruara në portin e Durrësit kanë trazuar ujërat. Ndaj mafia e politikës dhe e shtetit është në alarm.
Operacionet e zhvilluara së fundmi tregojnë se mafia shqiptare është një ndër aktoret kryesore ndërkombëtare. Nuk operon gjithmonë brenda përbrenda Shqipërisë, kryesisht operon jashtë Shqipërisë dhe megjithëse paraja shpeshherë pastrohet ose investohet në Shqipëri.
“Pjesa më e madhe e parave vijnë këtu. Sigurisht, jo të gjitha, sepse ato edhe i qarkullojnë në vende të ndryshme të botës për të mbajtur rrjetet e tyre, por zakonisht paratë i investojnë në vendin e tyre, pasi ky është vendi që njohin më mirë, ku kanë dashur gjithmonë të kenë një hotel të mirë në Tiranë, apo një vilë shumë të bukur në Vlorë.
Prandaj shihet dhe është e dukshme që këto pará kthehen, pasi pastrohen sigurisht dhe këto pará mjaftojnë për gjithë jetën. Atëherë, atë çfarë duhet të shohë publiku shqiptar është se Shqipëria është bërë si një vend i sigurt, si një parajsë e sigurt për mafiozët duke i dhënë pará policisë apo duke u bërë të paprekshëm, duke investuar shumë në partitë politike, duke investuar shumë në polici, duke investuar shumë në kompani private sigurimi, të cilat marrin në punë shpesh herë ish-policë.
Ky është një problem shumë i madh sepse influencon shumë në politikën e vendit, i bën gjërat më të vështira për të zbatuar ligjin. Kur ke biznese me miliarda parash, politikanët i shohin këto pará si mundësi, madje iu sulen atyre për të mbajtur partitë e tyre politike. Në Serbi sigurisht që ndodh e njëjta gjë, por paratë pastrohen përmes oligarkëve që jetojnë aty. Miroslav Mishkoviç, për shembull, është akuzuar tani për pastrim parash, por ai ka një dekadë të tërë që e bën këtë gjë, përpara ka pasur pastrim parash për Sllobodan Milosheviç.
Nga njëra anë kemi paratë dhe nga ana tjetër kemi drogën, dhe pikërisht aty ku janë paratë, është edhe rreziku. Sigurisht që droga është një biznes shumë fitimprurës, janë miliarda e miliarda dollarë që vijnë në këtë rajon dhe një pjesë e mirë e tyre shkon në investime të ligjshme, një pjesë në investime të paligjshme dhe një pjesë në politikë. Ky është sistemi i ngritur në vite, prej të cilit vështirë se del dot”, shprehej në një intervistë për mediat shqiptare Drew Sullivan./Pamfleti