Nëse do të flasim për tri nga ngjarjet më të rëndësishme të ndodhura në 1920, janë vrasja e Esad Pashë Toptanit nga Avni Rustemi dhe gjyqi i tij në Francë, lufta e përgjakshme e Vlorës dhe ngjarja më e madhe dhe më e rëndësishme, Kongresi i Lushnjës. Në këtë artikull do të flasim për gjyqin e famshëm të Avni Rustemit, pasi ai vrau në mes të rrugës me dy plumba Esad Beun.
Avni Rustemi lindi në Libohovë, më 22 shtator 1895 dhe vdiq në një atentat në Tiranë, më 24 prill 1924. Ai ishte mësues, publicist, atentator dhe deputet shqiptar.
Themelues dhe drejtues i shoqatës “Bashkimi” dhe anëtar i opozitës demokratike para Lëvizjes së qershorit. Familja në të cilën u rrit Rustemi ishte oxhaku i Libohovës Arsllan-Pashalinjt. Avni Rustemi, në vitet 1920, shfaqet si figurë shumë aktive dhe revolucionare për kohën.
Që kur ka qenë 14 vjeç, Avniu ka kërkuar që të bëhet pjesë e çetës së Çerçiz Topullit, por nuk është pranuar për shkak të moshës. Më vonë arrin që të shkollohet dhe në moshën 17-vjeçare fillon punën në Tepelenë si mësues.
Më vonë Rustemi u zhvendos në Vlorë për të zhvilluar profesionin e tij, pikërisht në fshatrat Tragjas dhe Radhimë. Por ai nuk do të rrinte i qetë.
Në vitin 1920 krijohet një organizatë nga djelmoshat e Vlorës, pjesë e të cilëve ishte edhe Rustemi, nga kjo organizatë do të dilte edhe urdhri për të vrarë Esad Pashë Toptanin.
Komploti për vrasjen e Esad pashë Toptanit u organizua në Vlorë, në një shtëpi në lagjen “Muradie”, në të njëjtën lagje ku pjesëmarrës ishin 36 burra, nga të cilët u përjashtuan ata që kishin familje dhe shorti u zhvillua vetëm me 11 burra, ku, siç dihet, shorti i ra Avni Rustemit.
Avniu shkon dhe e vret Esadin. Ja çfarë thonë gazetat franceze të kohës rreth kësaj çështjeje, fakte të mbledhura nga Aurenc Bebja.
“Më 13 qershor të 1920, në kryeqytetin francez, Esad Pasha po dilte nga hotel «Continental», i shoqëruar nga një mik dhe një mikeshë, për të shkuar në drejtim të automjetit të tij, i parkuar në rrugën «Castiglione». Avni Rustemi, i cili po priste mbi trotuar, qëllon dy herë mbi të duke e lënë të vdekur në vend.
Si rrjedhim, gazeta franceze «Le Matin» ka botuar në faqen e parë të saj, më datë 30 nëntor 1920, një artikull mbi procesin gjyqësor të kësaj vrasje të bujshme. Ajo ka botuar shkëmbimet e ndryshme në sallën e gjyqit, ku bie veçanërisht në sy gjakftohtësia e Avni Rustemit.
Më 20 qershor 1920, Avni Rustemi shfaqet para Gjykatës së Krimeve të Rënda të «Seine». Gazeta e përshkruan autorin 27-vjeçar, si të dobët fizikisht, që dukej sikur të ishte 20-vjeçar, me një pamje të mprehtë, i cili ishte i sigurt kur shprehej, me një kokëfortësi që haset tek të gjithë vrasësit politikë. Dhe si ata, ai dinte të përdorte lehtësisht «klishetë».
Në vijim, seanca gjyqësore e rrëfyer në gazetën franceze:
“Seanca është udhëhequr nga kryetari i gjykatës, këshilltari Z. Drioux.
Avokati i Përgjithshëm Bloch – Laroque mbështet akuzën.
E veja e Esad Pashës përfaqësohet, si palë civile, nga avokatët Freyssanges et Lyon – Caen.
Avokati De Monzie (Anatole) mbron të akuzuarin.
Pas formaliteteve, fillon marrja në pyetje e Avni Rustemit.
I akuzuari, i lindur në një familje me prona përreth Janinës, është shkolluar në Konstandinopojë, Gjenevë dhe Romë. Ai i ishte destinuar mësimdhënies. Në vitin 1913, u bashkohet Shqiptarëve që luftonin kundra Greqisë me qëllim «lirimin e Epirit».
Drioux: Në atë moment të caktuar, ju nuk e njihnit Esad Pashën?
Avni Rustemi : Oh, kanë folur shumë për të!
Drioux: Po ju paralajmëroj se do të jem tepër i kujdesshëm në këtë terren. Unë pranoj se jam i paditur në çështjet e historisë dhe politikës shqiptare. Mbi këtë bazë, unë do t’ju lejoj të thoni atë që ju dëshironi.
Rustemi përfiton nga leja për të afirmuar se në Shqipëri kishte vetëm një qeveri legjitime, ajo e cila luftoi Esad Pashën.
…Në maj të vitit 1920, partizani i ri kthehet në Shqipëri, ku takon « një zyrtar të lartë, i cili i shpjegon situatën » dhe kuptohet se është kundra « Esadiste ». Në vijim niset për në Paris.
Drioux: Çfarë burimesh financiare keni?
Avni Rustemi : Pak më shumë se 6000 lireta.
Drioux: Nga vijnë këto para?
Avni Rustemi : Nga vëllai im.
Avokati i Rustemit, De Monzie : Kjo dëshmon se Rustemi nuk është vrasës me pagesë.
Rustemi e përgjonte Esadin nga hoteli i rrugës « Saint – Hyacinthe », komshi me hotelin « Continental », ku jetonte Esadi. Iu desht vetëm një « hap » për ta gjetur. Më 13 qershor u takua papritmas me pashain në trotuarin e rrugës « Castiglione » dhe aty ndodhi gjithçka.
Avni Rustemi : Kur pashë këtë njeri u turbullova dhe nuk u kontrollova dot.
Drioux: Dhe pastaj, ju qëlluat?
Avni Rustemi : Ishte një gjest ashtu si marrja e Bastijës!
Drioux: Ju u bëni aluzion, pa i njohur mirë, disa fakteve të historisë sonë. Shumë të huaj shprehen kështu. Në një tekst të shkruar nga pala juaj mbrojtëse, miqtë tuaj e kanë krahasuar viktimën me Luigjin e XVI! Ju paralajmërova se mund të thoni gjithçka në lidhje me politikën shqiptare.
Ne, francezët, ne nuk mund të harrojmë se Esadi ishte miku ynë, që u detyrua të largohej prej austriakëve, që ka punuar në shpëtimin e ushtrisë serbe, dhe për arsye të këtyre fakteve, ai u dekorua me Kryqin e Madh të Legjionit të Nderit.
Avokati i Rustemit, De Monzie : Franca ka besuar disa herë gabimisht.
Proçesi gjyqësor mbyllet me këto fjalë të akuzuarit:
Avni Rustemi : Unë nuk e kam paramenduar vrasjen. Unë kam qenë gjithmonë i shtyrë nga ndjenjat e pastra.
Nga ky moment, mbaron proçesi i Avni Rustemit dhe fillon i Esadit.
Dëshmitarët e parë, doktori Paul, eksperti i armëve Flobert, roja (gjuetari) Cavet që ndaloi vrasësin u dëgjuan me shpejtësi.
Avokati i Rustemit, De Monzie, me aftësinë e madhe për të mbrojtur klientin e tij, do të tërheqë vëmendjen e sallës në vijim.
Avokati i Rustemit, De Monzie : Një patriot shqiptar, si Rustemi, a ka pasur ndaj Esadit ankesa të bazuara (të mjaftueshme) për të eliminuar tiranin dhe tradhtarin?
Sipas gazetës, dhjetë dëshmitarë mbrojnë të vrarin.
Gjenerali Gouraud i ka shkruajtur Z. Drioux për të vërtetuar bujarinë e Esadit. Z. Edouard Julia e konsideron Esadin si një mik të Francës.
Julia: Figura e tij ushtarake ishte ajo e një heroi. Ishte ai që mundësoi dialogun me mbretin Konstandin. Personaliteti i tij politik nuk ishte më pak i shquar. Ai ka kontribuar shumë në fitoren e aleatëve.
Pa atë, asnjë serb nuk do t’i kishte shpëtuar fatkeqësisë, asnjëri prej tyre nuk do të arrinte në Korfuz. Unë nuk jam këtu për të shkatërruar një njeri të ndriçuar nga pasioni i tij politik, por do t’i them të akuzuarit, se duke vrarë Esadin, ai ka sakrifikuar fatin e fundit për bashkim dhe pavarësi që i kishte mbetur shtetit të tij.
Avokati i Rustemit, De Monzie: Esadi, a nuk e dorëzoi Shkodrën në 1913 armiqëve të shtetit të tij? Dëshmitarë të tjerë do të vijnë të tregojnë».
Eskpertë të tjerë kanë vazhduar të flasin në gjyq si për shembull gjenerali Sarrail, ish-shefi i byrosë së ushtrisë Orientale, Z. Ancel, apo Z. Auguste Gauvain, Z. Gaston Richard, koloneli Lamouche dhe konsulli francez në Selanik, Z. Graillet.
Të gjithë këta zotërinj nuk kanë rënë dakord me pohimet e njëri – tjetrit.
Gjatë kësaj seance gjyqësore nuk është marrë një vendim i menjëhershëm për Avni Rustemin.”
Një ngjarje tjetër që nuk mund të harrohet, është ajo e komisarit të bashkisë, mikut të Avni Rustemit, Tol Arapi, i cili hipi në anijen që solli Avni Rustemin, nxori nga brezi nagantin dhe qëlloi 5 herë në ajër duke brohoritur “Rroftë djalëria shqiptare, Rroftë Avni Rustemi!”.
Ngjarja e dytë ka qenë marrja në krahë e Avni Rustemit, ku një pjesë të rrugës për në Vlorë e mbajtën në krahë, dhe pjesën tjetër të rrugës e hipën në karrocë dhe i hoqën kuajt, dhe populli i Vlorës e shtyu karrocën deri në Bashki, në qendër të qytetit.
Po atë natë për nder të Avni Rustemit u shtrua një darkë e madhe ku përveç parisë së Vlorës, merrte pjesë edhe kryeministri i asaj kohe, Sulejman bej Delvina dhe njerëz të tjerë të shquar të kombit. Por gëzimi nuk do të zgjaste shumë.
Njerëzit e Esad Pashë Toptanit u rikthyen përsëri për të, dhe atë ditë 22 prilli të vitit 1924 në Pazarin e Ri në Tiranë, teksa ishte i shoqëruar nga një deputet demokrat i quajtur, Hoxha Kadriu nga Prishtina, papritur një njeri i armatosur e qëllon dy herë.
Rustemi jeton vetëm për dy ditë dhe vdes nga plagët e rënda që kishte marrë. Njeriu që vrau Avni Rustemin, ishte Jusuf Reçi, një nga njerëzit e Esad Pashë Toptanit.
Sot Avni Rustemi mban titullin “Hero i Popullit”.