Ndërhyrja dhe investimet në 100 fshatrat do të mundësojnë krijimin e një modeli zhvillimi, identifikues për Shqipërinë.
Kështu u shpreh, ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj gjatë takimit të zhvilluar në Lezhë, me sipërmarrës dhe përfaqësues të bizneseve atje. Sipas Ahmetaj, më shumë rëndësi sesa financimi, do të ketë impakti dhe fuqia e modelit që do të krijohet për fshatrat e tjerë.
“Esenca e të gjithë programit të ‘100 fshatrave’, fuqia nuk qëndron tek ajo që do të vendosë buxheti i shtetit që të financojë, apo sipërmarrja në bashkëpunim me të gjithë aktorët e tjerë, por fuqia e modelit. Besoj se kjo duhet të kthehet në një moto për programin, në mënyrë që pastaj, pasi të jetë certifikuar, konsoliduar, suksesi për modelin, kuptohet që bëhet modeli i Shqipërisë”, – ka thënë ai.
Më tej, ai ka vënë në dukje se projektet që do të zbatohen në fshatra do të krijojnë modelin e zhvillimit ekonomik.
“Në aspektin e financimit, dje kaluam aktin normativ dhe brenda rritjes së investimeve për Rilindjen Rurale, ka një mbështetje të dedikuar për 100 fshatra të vogla me modelin e projekteve të vogla siç e ka theksuar edhe në Voskopojë, Kryeministri. Ndërhyrja në mikro pra, në qelizë, në mikro-klima brenda 100 fshatrave do të krijojë zhvillimin dhe modelin nga qeliza e vogël, deri tek fshati si një model i zhvillimit ekonomik”.
Lidhur me “Akademinë e 100 fshatrave”, Ahmetaj tha se projektet që do investohen shkojnë nga 30 mijë euro, deri në 100 mijë euro dhe përgjëgjësia sociale do t’i jepet kompanive.
“Besoj se Akademia do të funksionojë që të prodhojë projekte të vogla, 30 mijë euro, 40 mijë euro, 50 mijë euro deri në 100 mijë euro, në mënyrë që ta bëjë të mundur financimin dhe të jepet përgjegjësia sociale t’i jepet kompanive”./atsh