Turistët e huaj që mbërritën në portin më të madh të vendit u pritën nga instalacioni “10 mijë buzëqeshje” i realizuar në kuadër të projektit “Smile Albania”, në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit.
Një pjesë e tyre u njohën me fletë-palosje dhe guida turistike, teksa niseshin për vizita drejt qyteteve historike të vendit tonë. Një projekt që ju la një ndjesi mjaft të këndshme turistëve.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi dhe kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, vizituan kroçerën “Gemini”, me të cilën mbërritën në port 699 turistë nga Turqia.
Klosi dhe Dako u pritën nga Drejtori i përgjithshëm Ekzekutiv i APD, Afrim Bakaj, i cili i njohu me disa nga ndryshimet pozitive në kalatën 5, ku ankorohen anijet e mëdha turistike.
Ministri Klosi vlerësoi përgatitjet në kuadër të projektit “Smile Albania”, një instalacion i të cilit është realizuar edhe në hyrje të Terminalit perëndimor.
Në mjediset e kroçerës “Gemini”, ministri Klosi dhe kryebashkiaku Dako u pritën nga kapiteni dhe drejtues të anijes, që vlerësuan veçanërisht mikpritjen në portin më të madh të vendit tonë.
Klosi u njoh me itineraret e anijes turistike, duke kërkuar më shumë lundrime drejt porteve të vendit tonë. Ai shtoi se sitet turistike në disa nga qytetet historike po vizitohen nga mijëra turistë të huaj./atsh