Zbardhet pasuria e plotë e kryeministrit Edi Rama. Shefi i ekzekutivit ka një karrierë të gjatë në politikë, fillimisht si ministër Kulture, më pas si kryetar bashkie dhe tani si kryeministër. Ashtu siç prej disa ditësh gazeta ka treguar pasuritë ndër vite të presidentit Ilir Meta, ish-kryeministrit Sali Berisha dhe të deputetëve të PD, sot po tregon se si kanë ndryshuar ndër vite të ardhurat e kryeministrit.
Deklarimet e para pranë Inspektoratit të Lartë të deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive janë bërë për vitin 2003. Në këtë vit Rama ka deklaruar një apartament parafabrikat 1+1 të përfituar nga privatizimi pas rrëzimit të regjimit komunist. Më tej ka deklaruar një studio artistike të trashëguar nga babai i tij, si dhe një numër koleksionesh artistike. Gjithashtu pjesë e deklaratës janë disa kursime cash në vlerën e 3.5 milionë lekëve dhe paga si kryetar bashkie dhe anëtar i KRRT.
Në këtë vit Rama ka deklaruar dhe marrjen e një kredie me vlerë 2.5 milionë lekë. Më pas prej vitit 2004 dhe deri në vitin 2007 kryeministri ka deklaruar vetëm të ardhurat si kryetar i Bashkisë Tiranë. Në vitin 2008 ai ka deklaruar 2 llogari bankare dhe pagën e tij si kryetar bashkie. Deri në vitin 2010 ka vijuar e njëjta situatë ku janë deklaruar 2-3 llogari bankare në vlera të ulëta dhe paga si kryebashkiak. Por po në këtë vit kryeministri ka deklaruar dhe pasurinë e bashkëshortes së tij, zonjë Lindita Rama.
Ajo ka deklaruar apartament me sipërfaqe 146.15 m2 tiranë, vlerë rreth 19 milionë lekë. Garazh me sip 17 m2, me vlerë rreth 1.3 milionë lekë; Tokë arë në Surrel, 2582 m2, 500.000 lekë; Tokë arë në Surrel, 1995.5 m2, 586.650 lekë; Llogari bankare në Intesa San Paolo, 4.952 euro; Depozitë në Intesa San Paolo, 19.500 euro; Depozitë në Intesa San Paolo, 50.03 euro; Llogari në Intesa San Paolo, 153.91 euro; Llogari në Union Bank, 165 CHF (Franga Zvicerane); Kontratë huaje pa interes, 30 mijë euro; Kontratë huaje pa interes, 40 mijë euro; Paga nga mësimdhënia në UET, 3.423 euro; Paga në Qendrën për Nxitjen e Zhvillimit Njerëzor, 540.000 lekë+9.850 euro dhe 2.200 USD; Kryetare bordi në Open Society Fundation, 624.000 lekë; Apartament dhënë me qera, 19.440 euro dhe Pagesë për shkollimin e vajzës, 8.000 CHF.
Pasuria si kryeministër
Në vitin 2013 Rama fitoi zgjedhjet dhe u bë kryeministër. Në këtë vit ai ka deklaruar apartament banimi Tiranë, tip parafabrikat me sip. 59 m2 , vlera 5.422.100 lekë. Një studio artisti Tiranë, sip. 65 m2, me trashëgimi nga babai, vlerë 2.500.000 Lekë.
Ka deklaruar që është bashkëpronar me 50% e ku 50% të tjera pjesë e regjimit martesor me bashkëshorten Lindita Rama, shtëpi banimi me sipërfaqe të padeklaruar, përcaktuar një kat, me vlerë ndërtimi 39.607.741 lekë, vendndodhja e shtëpisë në fshat Surrel, Komuna Dajt, pasuri që justifikohet me dokument leje ndërtimi, momenti i deklarimit pa titull pronësie.
Rama ka deklaruar Llogari bankare, 2.007 789.3 lekë, burim të ardhurash paga e mëhershme dhe shitja e librit “Kurban”. Para kesh 988.700 lekë, burim i të ardhurave kursime personale. Po ashtu është shprehur se ka detyrim të papaguar subjektit ndërtues të shtëpisë së banimit në Surrel me vlerë 12.056.241 lekë, detyrim si pjesë e regjimit martesor 50 me 50 me bashkëshorten. Dhe detyrim i papaguar i qira vjetore apartament banimi sipas kushtit për pagim një herë në vit, vlera e detyrimit -573.280 lekë.
Ndërsa bashkëshortja ka deklaruar apartament banimi dhe toka në Surrel. Gazeta “Sot” ka siguruar dhe pasurinë e deklaruar së fundmi nga kryeministri, i cili ka deklaruar se ka shitur apartamentin parafabrikat, ndërsa bashkëshortja ka blerë tokë ullishte dhe arë në Surrel me sipërfaqe 2.240 m2, me vlerë 6.930.000 lekë./Pamfleti