Loading...

Vlorë: Biblioteka e Eqrem Bej Vlorës, një ndër më të mëdhatë në Ballkan

Mes pasurive të Eqrem Bej Vlorës studjues dhe hulumtues i mjaft momenteve të rëndësishme në historinë e Shqipërisë, ishte biblioteka e famshme, e cila u dëmtua pas vitit 1944. Kjo bibliotekë e vendosur në sarajet e familjes Vlora, e njohur ndryshe me emrin “Shtëpia e Beut”, në qendër të qytetit, ishte e krijuar nga pinjollët e familjes Vlora, ndër më të njohurat në Shqipëri.
Studiuesi vlonjat, Fahri Shaska, thotë se, biblioteka ishte ndër më të mëdhatë në Ballkan në dekadat e para të shekullit XX. “Prej saj u zhdukën vlera të jashtëzakonshme”, sqaron Shaska. Sipas tij, përveç një numri të jashtëzakonshëm titujsh, në këtë bibliotekë, përfshiheshin dokumente të rralla. Mes tyre, ai përmend një ditar të shënimeve të Hoxhës të fshatit Armen, Sali Efendiut, e vitit 1757; shënimet e Hafës Zenel Efendiut, nga Armeni, që përkojnë me vitin 1768; përmbledhje e kopjeve të letërkëmbimit të Ismail Pashë Velebishtit, me njerëzit më të shquar të Vlorës; letërkëmbimin e Çelo Picarit me Ismail Beun; shënimet historike “Mbi “oxhaqet” e Shqipërisë, e Azem Bej Janinës, e vitit 1889; dy libra të shtypura në shtypshkronjën e Voskopojës, në vitet 1720-1769, korrespondencë e pinjollëve të kësaj familjeje me shkrimtarin Dyma etj.

Në vitin 1914, në bibliotekën e Eqerem Bej Vlorës ndodhej një fond prej 14640 vëllime në gjuhët arabisht, turqisht, gjermanisht, italisht, greqisht, shqip. Në të kishte dorëshkrime të rralla arabe, libra fetarë si Kurani, Bibla etj.

-Biblioteka u shkatërrua në 1944-

Çlirimi i qytetit të Vlorës në 15 tetor të vitit 1944, shënoi edhe fillimin e procesit të dëmtimit pa kthim të bibliotekës së njohur të familjes Vlora. Pinjolli i saj, Eqerem Bej Vlora, u largua jashtë vendit, ndërkohë që banesa dykatëshe ku ndodhej biblioteka, në qendër të qytetit u bastis. Gjithçka u dëmtua dhe pakkush pyeste për ata libra të rrallë që griseshin e shkatërroheshin. Por, mes atyre që ndodheshin gjatë kontrolleve në mjediset e banesës së Vlorajve, që sot njihet me emrin Shtëpia e Beut, kishte edhe nga ata që mendonin se ata libra kishin një vlerë të madhe dhe mund të duheshin një ditë. Mes tyre ndodhej edhe një ushtarak i cili tërhoqi një numër të konsiderueshëm titujsh të vjetër. Ai i ruajti ata në banesën e tij, për vite me rradhë, ndërkohë që, pas vdekjes, ja la vëllait të vet. “Sot këta libra ndodhen në fshatin Vuno, në banesën e vëllait të ish-oficerit, që është në emigracion”, tregon Shaska, ndërkohë që për arsye etike nuk përmend emra. Ai thotë se, rastësisht ka rënë në gjurmë të këtyre librave të cilët janë botime të rralla të dy shekujve më parë.

Megjithatë, pavarësisht atyre që ndodhën, një fond prej rreth 2000 librash e dorëshkrimesh të fushës së albanologjisë, u shpëtuan dhe u përfshinë në fondin e bibliotekës publike “Shevqet Musaraj” të qytetit, ku ndodhen edhe sot. Ato u vendosën në këtë bibliotekë në 22 gusht të vitit 1946, që shënon themelimin zyrtar të këtij institucioni. Duke filluar nga viti 1974, gjatë 10 vjetëve, banesa e Eqerem Bej Vlorës, shërbeu edhe si bibliotekë duke krijuar kështu një lidhje simbolike mes dy periudhave të ndryshme, të pangjashme me njera-tjetrën./ATSH-Harilla Koçi

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com