Loading...

Veliaj me artistët: Teatri Kombëtar duhej transferuar që në vitin 1954

Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj i shoqëruar edhe nga ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, zhvilloi një bashkëbisedim me komunitetin e artistëve për nismën e ndërtimit të një Teatri të ri Kombëtar.

Në fjalën e tij, Veliaj shprehu bindjen se sikurse çdo projekt tjetër i Bashkisë së Tiranës, edhe ai për Teatrin e ri do të rezultojë një sukses i vërtetë. Kreu i Bashkisë deklaroi se ky debat për një teatër të ri daton që në vitin 1998, kur vetë artistët shprehnin pakënaqësi për kushtet e tyre të punës.

Veliaj deklaroi se që në 1954 ministria e Industrisë dhe Ndërtimit ka një korrespondencë me drejtorinë e Teatrit Popullor ku shpreh mendimin që teatri të transferohet tek salla e Kuvendit Popullor sepse nuk përmbush kushtet. “Pra, plot 64 vjet më parë. Që atëherë situata vetëm është përkeqësuar. Në vitin 2004, Këshilli Shkencor i Institutit të Monumenteve të Kulturës e klasifikoi ndërtesën e Teatrit Kombëtar si një ndërtesë pa vlerë”, u shpreh ai.

Më tej, Veliaj tha se “studimi shkencor i vitit 2007-2008, ‘Architettura Moderna italiana per le citta D’Albania’, publikoi raporte të italianëve ku theksohet se qëllimi i ndërtimit të kësaj godine që në vitin1938 nga një kompani italiane ka qenë shfrytëzimi i ambienteve të saj për arsye argëtimi dhe aktivitete sportive. Studimi shkencor sqaron se për shkak të nevojës për të minimizuar kostot në situatë lute, edhe për ndërtimin e kësaj godine që kishte qëllim tjetër, janë përdorur materiale me kosto të ulët, madje materiale skarco, si tallash e alga deti”.

“Relacioni i vitit 2014 të Institutit të Monumenteve të Kulturës thotë se gjendja e përgjithshme e objektit shfaqet e rënduar dhe e amortizuar në kohë. Gjatë viteve, në objekt është ndërhyrë pjesërisht në rifiniturë, dhe në mirëmbajtjen e pjesëve të dukshme të tij. Ndërhyrje rrënjësore në strukturë, nuk ka pasur asnjëherë që prej kohës së ndërtimit të tij. Akt kontrolli i bërë në vitin 2014 , pa qenë unë kryetar bashkie, pa pasur lidhje me këtë realitet, nga inspektorët e parandalimit pranë shërbimit zjarrfikës të Tiranës konstatohet sesa e rrezikshme është situata e zjarrit”, u shpreh ai.

Kreu i Bashkisë nënvizoi se edhe raporti i 2018 i Institutit të Ndërtimit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për godinën e Teatrit Kombëtar në 23 mars 2018 thotë se nga inspektimi i situatës së godinës, situata paraqitet shumë problematike me përkulje dhe dëmtime në disa zona të soletës dhe me ambiente që nuk ofrojnë kushtet jo vetëm për stafin por edhe për qytetarët që e frekuentojnë.

Më tej Veliaj renditi listën shumë të gjatë të kritereve që duhet të ketë një teatër modern, por që i mungojnë teatrit ekzistues dhe nuk mund të instalohen atje./ATSH

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com