Loading...

Valë largimesh të prokurorëve dhe gjyqtarëve për të shpëtuar pasuritë

Vendimi i dy ditëve më parë i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit për të “shpëtuar” ish kryeprokurorin Adriatik Llalla nga procesi i vettingut ka hapur rrugën e dorëheqjeve. Tashmë pritet që shumë përfaqësues të tjerë të drejtsisë të cilët i frikësohen procesit të rivlerësimit ta përdorin këtë vendim të KPA si precedent.

Ata tani kanë mundësinë për të realizuar planin e tyre për t’ju shmangur përballjes me trupën gjykuese të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke dhënë dorëheqjen para se të nominohen për të dhënë sqarime për pasuritë e tyre dhe vitet e karrierës.

Burime për gazetën “Sot” bëjnë me dije se pritet një valë largimesh nga sistemi i drejëtsisë, të gjyqtarëve dhe prokurorëve, sepse ashtu si për Llallën, edhe ata nuk do të kalojnë në sitën e Vettingut.

Frikë nga sekuestrimi i pasurive

Gjyqtarët dhe prokurorët që vijojnë të jenë akoma pjesë e sistemit të drejtësisë janë të frikësuar nga organet e reja që pritet të ngrihen, veçanërisht nga Struktura e Posaçme Antikorrupsion. Deri më tani, edhe pse Komisioni i Pavarur i Kualifikimit u ka gjetur disa prokurorëve dhe gjyqtarëve shkelje me deklarimin e pasurisë, ata vetëm janë përjashtuar nga sistemi i drejtësisë dhe nuk ka pasur ndjekje penale. Por kryeministri Edi Rama e ka paralajmëruar disa herë se më ngritjen e SPAK të gjithë duhet të jenë të frikësuar sepse ata persona që janë gjetur me shkelje dhe probleme do të përballen me drejtësinë deri në fund.

Madje, me funksionimin e SPAK pritet që të ketë edhe sekuestrime të shumta të pasurive të paligjshme për personat që kanë probleme me drejtësinë. Duke u nisur nga ky “kërcënim” i kreut të qeverisë, për gjyqtarët dhe prokurorët e frikësuar nga vetingu plani për t’i shpëtuar ndëshkimit nga drejtësia do të ishte më i realizueshëm në rast se dorëhiqen vetë.

Nëse ata vijojnë të ushtrojnë profesionin e tyre normalisht dhe në momentin që do të përballen me trupën gjykuese të KPK, kjo e fundit u gjen shkelje me pasuritë, pritet që gjyqtarët dhe prokurorët ta “pësojnë” nga SPAK. Ndërsa në rast se do të hiqnin vetë dorë duke u larguar vullnetarisht, ata do të shpëtonin pa u lagur me koston e vetme që do tu duhet të heqin dorë nga sistemi i drejtësisë për 15 vite. Por për të parë se çfarë do të ndodhë me fatin e prokurorëve dhe gjyqtarëve duhet të presim ditët në vijim.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com